Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka denoncuar keqmenaxhimin dhe mungesën e transparencës në Bashkinë e Tiranës.
Ai shprehet se situata është duke u përkeqësuar, me shërbime që kanë degraduar dhe abuzim të fondeve publike. Teliti kërkon që të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, si një zgjidhje për krizën e thelluar në menaxhimin dhe drejtimin e kryeqytetit.
Postimi i Dorian Telitit:
EDHE PAK “PUNË” NGA RISTANI, DHE VELIAJ DO NA DUKET “AI I MIRI”.
Nuk me vjen aspak mirë ta them, por kemi një drejtuese të komanduar në krye të Bashkisë Tiranë që po “ngre” qytetin në nivele të reja…të abuzimit, mungesës së shërbimeve, mungesës së transparencës dhe plehrave kapicë.
Nuk mjafton që trashëguam nga Veliaj një incenerator fantazëm që thithi miliona euro nga taksat tona, por pagesat e majme vazhdojnë edhe me shumë se më parë.
Tenderat “e pilotuar” që rëndojnë buxhetin dhe dëmtojnë operatorët janë bërë normë, uji vazhdon të jetë një ëndërr në shumë lagje, trafiku dhe transporti publik rëndohen dita ditës, ndërsa luksi i drejtuesve dhe përdorimi antiligjor i aseteve publike “shkëlqen në karshillik” ndaj halleve të kryeqytetit dhe banorëve të saj.
Kjo nuk është qeverisje lokale, por një parodi ku qytetarët paguajnë faturën e një strukture drejtuese menaxhimi të paaftë dhe korruptiv.
Cfarë e pengon qeverinë të hapë rrugën për zgjedhje të parakohshme në Tiranë?