Ballina Aktualitet Nga Anglia në Tropojë… në këmbë/ Emigranti: U përlota kur preka tokën...

Nga Anglia në Tropojë… në këmbë/ Emigranti: U përlota kur preka tokën shqiptare

10
0

E pabesueshme, por, e vërtetë. Ky është emigranti shqiptarë, Seb Ponari, i cili udhëtoi plotë 2733 km në këmbë nga Kembrixh drejt vendlindjes së tij, në Tropojë. 40-vjeçari prej 16 vitesh jeton në Angli, ndërsa sfida që i vendosi vetes i mori kohë plotë 38 ditë për të arritur në vendlindje në këmbë.

I emocionuar, Sebi tregon se shkelja në tokën shqiptare, i dhuroi atij lot gëzimi.

“Kur hyra në Shqipëri, në pikën e kalimit të Hanit Hotit.  ishte një ndjesi krejt ndryshe, Ndjeva një ngrohtësi që se kisha ndjerë kurrë. Më dolën lot, se kisha bërë gjithë atë vrapim. Nuk ka si Shqipëria, s’ka si nëna ime”

Pasi ka vrapuar për mbi 10 orë çdo ditë në këmbë, 40-vjeçari sot e konsideron një sfidë të çmendur, por, që nuk do pendohej kurrë. Ai tregon se vrapin e nisi si pakuptuar në një moment të vështirë që po kalonte me shëndetin mendor, ndërsa sot është kthyer për të në pasion.

“Fillova të vrapoj para dy vitesh, për këto… arsyeja sepse jetoj Kembrixh, dhe Tropoja është vendlindja ime, aty ku pushon babai im prej 10 vitesh. Kjo ishte edhe arsyeja. Vrapi nisi aksidentalisht, e gjeta qetësues. Më bën të rri me veten shumë. Vrapin e përdor  për të hequr  mendimet e këqija.. filloj si ide, dhe këtë vit më nisi prapë. Flas shpesh për shëndetin mendor, një nga ata jam unë që vuaj, dhe flas shpesh për këtë”

Lodhja nuk llogaritet për 40-vjeçarin, ndërsa tregon dhe arsyen e fortë që nuk u dorëzua kurrë. Këtë udhëtim, Ponari ia dedikon 10-vjetorit të përkujtimores së humbjes së të atit.

“I lodhur shumë herë, por të ndaloja asnjëherë. Sepse arsyeja ishte shumë e fortë. Arsyeja ishte të arrij ku pushon babai”,  tha ai.

Nga humbja e rrugëve nëpër male, tek përballja me gjarpërinjtë në rrugë, 40-vjeçari tregon disa nga vështirësitë e sfidës.

“Në male kam humbur disa herë, Francë, Austri e Gjermani. Gjarpërinjtë kanë qenë problem. Më e vështira në Kroaci, ku u futa në një mal, u bë errësirë dhe pashë një humnerë, ku pashë veten në rrezik. Vendosa të ndjek rrugën e makinës, dhe trafiku ishte tjetër vështirësi”

Të paktë janë ata që e kanë përqafuar sfidën e 40-vjeçarit, kjo, sepse u është dukur e pamundur.

“Çmenduri, në përgjithësi, a je çmendur, të ka luajtur mendja. Pjesa tjetër u sa mirë, por, kjo e dyta ka qenë më e vogël. Shumica thonin do e lë, mbas 1 jave. Kur kam hyr në Kroaci kanë thënë ka qenë e mundur. Disa më shkruajnë e më thonë që ke mashtruar”, tha ai.

Që misionin ta quaj të përmbyllur, 40 vjeçari ka ende  km për të përshkruar në këmbë nga Tirana në jug të vendit në Ksamil. Ai tregon se misioni me vrapimin nuk përfundon këtu, pasi sfida ende më të rënda e presin në të ardhmen.

“Sfida është 500 kilometra pa ndaluar në Amerikë për 7 ditë”