Ballina Aktualitet Përmeti, tradita dhe natyra e egër po ndihmojnë në zhvillimin e turizmit

Përmeti, tradita dhe natyra e egër po ndihmojnë në zhvillimin e turizmit

13
0

Qyteti i vogël i Përmetit i ka të gjitha, përveç detit, siç thotë edhe kjo shprehje që të mikpret në hyrje të tij. Kur themi Përmet, në mendje vijnë trëndafilat, glikoja, llixhat, Vjosa e bukur dhe një natyrë e mrekullueshme.

Por Përmeti dhe veçanërisht rrethinat e tij janë një nga thesaret më të pasura natyrore dhe gjeografike të Shqipërisë.

Kësaj radhe do të shohim një pjesë jo aq të njohur të qytetit juglindor dhe pak të vështirë për t’u aksesuar.

Majat e larta, ujëvarat dhe kanionet e tij me legjenda…

Për 1 orë e 30 min, në verilindje të Përmetit, shtrihet një prej parqeve më të bukura natyrore të Shqipërisë.

Ky është Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli, me një sipërfaqe prej 1200 ha dhe masive pyjore që në çdo stinë dhurojnë shfaqje natyrore spektakolare.

“Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli, është një prej parqeve natyrore që duhet të vizitoni patjetër, teksa ndodheni në Përmet. Është vetëm 35 KM larg qytetit. Konsiderohet si një prej parqeve më të mëdha të Ballkanit dhe si mushkëria natyrore e Shqipërisë së Jugut”, thotë gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.

Nga banorët e zonës dëgjon se në këtë park mund të shërohen të gjithë ata që vuajnë nga sëmundjet respiratore nëse qëndrojnë për dy javë.

Këto pamje e tregojnë qartë pasurinë e faunës së parkut.

Ky park është vendi ideal për ata që pëlqejnë ecjet e gjata, por edhe për ata që duan të kalojnë një ditë të qetë në natyrë.

Është i përshtatur me sheshpushime të shpeshta gjatë gjithë perimetrit të tij.

Udhërrëfyesi Kliton Nurka tregon se aventurierët e natyrës do të duhet të rezervojnë të paktën 5 deri në 6 orë nga koha e tyre për të zbuluar Parkun Kombëtar.

Por përveç energjisë, eksploruesit e natyrës duhet të kenë edhe një “zemër të fortë”, sepse ky park është shtëpia e dhjetëra kafshëve të egra, arinjve, ujqërve më të rrezikshëm dhe nuk është e pamundur t’i ndeshesh.

Pjesë e këtij parku janë edhe kanionet.

Kanioni i Kamenckës, një atraksion natyror mbresëlënës, por pak i njohur, rrjedh nga një majë e lartë, jo aq e rehatshme për të parë poshtë tij.

Ai gjendet në jug të Parkut Kombëtar. Deri në pikën pranë Shkëmbit të Nuses shkohet me makinë. Më pas duhet të ecësh rreth 200 metra për të arritur shkëmbin mbi kanion, i cili dhuron një pamje spektakolare.

Edhe natyra rreth tij është po aq e harlisur, shumë më e egër dhe është vetë kanioni që, me faqet e mprehta, prezantohet i tillë: i egër dhe sfidues.

Pikërisht këtu, në këtë shkëmb bashkëjeton edhe legjenda e vetëflijimit, nga e cila ky shkëmb ka marrë emrin “Shkëmbi i Nuses”.

Pamjet nga lartësia e “Shkëmbit të Nuses” janë të mahnitshme.

Ky destinacion është për ata që shpirtin e aventurës e kanë të pashuar. Nevojitet një litar dhe pajisjet e duhura mbajtëse rreth shkëmbinjve për të shijuar çdo bukuri që natyra i ka dhënë këtij harku prej guri natyral që qëndron mbi ujërat e thella.

Parkun Kombëtar duhet ta eksplorosh duke respektuar rregullat, pa dëmtuar asnjë milimetër të tij.

Mendohet se ka qenë i banuar shekuj më parë, por ky park tani u takon vetëm bredhave, panjave, frashërit, arinjve, derrit të egër, kaprollit – duke ia shtuar hijeshinë kësaj shtëpie të natyrës së egër.

Këta turistë çekë, që qëndrojnë në këtë furgon të cilin e kanë përshtatur si shtëpi udhëtimi, kanë gjetur këtu natyrën e paprekur që ëndërronin.

Mbi ne ngrihet madhështore maja e Papingut, 2482 m mbi nivelin e detit, pjesë e vargmalit të Nëmërçkës. Ajo ka një pamje dominuese 360 gradë, nga Vjosa që kalon përmes Përmetit dhe rrethinat e Frashërit, deri në grykën e Këlcyrës në perëndim.

Në vargmalin e Nëmërçkës ndodhet një tjetër xhevahir natyror.

Ngjitja për në Ujëvarën e Sopotit ofron një natyrë fantastike, me plepa të lartë deri 100-vjeçarë, me burime uji të freskët që shërbejnë si oaze përballë diellit rrezatues, që në ato hapësira ku hija mungon, nuk të kursen.

Zhurma e ujëvarës nis të dëgjohet përpara se ajo të shfaqet në krye të kësaj rruge të vështirë për t’u ngjitur.

Pas këtij masivi shkëmbor, ajo na zbulohet me shtratin e saj të gjatë dhe elegant.

Duket si një vend zanash, që për mburojë ka lartësitë e Nëmërçkës.

Kjo ujëvarë nuk ofron vetëm bukurinë magjepsëse. Ajo u jep jetë zonave përreth, pasi me ujin e saj banorët e fshatit Stërmbec vadisin tokat e tyre.

“Nëse ngjitja kërkon mushkëri,” thotë guida jonë, “zbritja kërkon muskuj.” Ndërsa kthehemi në fshatin Stërmbec, ndeshemi me këtë çift francez që i është drejtuar ujëvarës, ndonëse është piku i vapës.

Dhe pas një udhëtimi që zgjati më shumë se dy orë, s’mund të ëndërrosh më shumë se mikpritja e banorëve të Stërmbecit, që na ftojnë me zemërgjerësi në shtëpitë e tyre për t’u shplodhur dhe freskuar.

Me këtë kopsht plot lule, tavolinën plot dhe derën që zonja e shtëpisë thotë se e lë hapur për çdo udhëtar, udhëtimi në Ujëvarën e Sopotit përmbyllet në mënyrën më të bukur.

Këto janë dy destinacione akoma jo shumë popullore për vizitorët, por turistë vendas e të huaj, të apasionuar pas natyrës, po i zbulojnë pak nga pak.
Vetë përmetarët janë të vetëdijshëm për natyrën që kanë dhe për faktin se pasuria e tyre nuk qëndron vetëm te shtëpitë dhe mikpritja, por në natyrën e bukur të qytetit të vogël me rreth 13,000 banorë.

Kartolinës përmetare nuk mund t’i mungojnë Llixhat e Bënjës, një imazh që ka bërë xhiron e botës dhe është pjesë e albumeve fotografike të çdo vizitori të tyre.

Ndodhen 14 kilometra larg qytetit.

Këtu janë gjashtë burime termale. Ujërat, katër prej tyre, trajtojnë problemet e reumatizmës. Një tjetër burim është për problemet e lëkurës dhe një për shëndetin e stomakut.

Llixhat e Bënjës janë një prej destinacioneve kryesore që sjellin vizitorët dhe turistët e huaj në Përmet. Nuk janë kurrë bosh, as dimër e as verë, kur temperaturat jashtë janë po aq të larta sa brenda vaskave termale.

Bashkë me këtë mrekulli të natyrës, ndërthuret historia që mbart ura e Katiut, që llixhat i ka nën këmbët e saj. E ndërtuar më 1700, ajo ka një lartësi prej 7 metrash.

Matanë saj gjendet Kanioni i Langaricës.

Ky vend nuk është kurrë në qetësi. Vizitorë vendas dhe të huaj nuk mungojnë asnjëherë.

Por thesaret e Përmetit nuk janë të fshehura vetëm në natyrën e egër që ofrojnë rrethinat e tij.