Qeveria ka lëshuar një thirrje urgjente për të gjithë fermerët dhe tregtarët blegtoralë në vend të respektojnë masat e vendosura për të përmbajtur murtajën e bagëtive. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministria e Bujqësisë u ka kërkuar blegtorëve që të mos shesin dhe të mos blejnë kafshët e llojit dhen dhe dhi. Madje paralajmëron se të gjithë ata që do të shkelin rregullat e Ministrisë, do të ndiqen penalisht.
Thirrja publike e Ministrisë:
Nisur nga disa raste të shkeljes së detyrimeve ligjore lidhur me lëvizjen, shitjen dhe blerjen e kafshëve, të cilat janë referuar menjëherë në organet e ndjekjes penale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural iu bën thirrje fermerëve se:
NDALOHET
Rreptësisht lëvizja e kafshëve nga ferma në fermë;
Shitja e kafshëve të llojit dhen dhe dhi, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;
Blerja e kafshëve të llojit dhen dhe dhi, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Lejohet vetëm lëvizja e kafshëve të llojit dhen dhe dhi për në thertore, të pajisura me certifikatë shëndetësore veterinare nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit.
Bashkëpunimi i të gjithë aktorëve do të kufizojë përhapjen e infeksionit.
Fermerë: mos rrezikoni tufën tuaj.
Tregtarë: Mos rrezikoni ekonominë blegtorale te vendit.
Mbrojmë tufat tona – Mbrojmë të ardhmen blegtorale të Shqipërisë.