Ballina Kuriozitete Sinjale misterioze perceptohen në Antarktidë

Sinjale misterioze perceptohen në Antarktidë

5
0

Sinjale radio misterioze janë perceptuar në Antarktidë.

Një eksperiment i kryer nga një fluturim 40 km mbi kontinentin e bardhë ka arritur të kapë sinjale të çuditshme radio që mbërrinin nga akujt, pra ishin përplasur aty. Enigma shkencore duket se do të mbetet e tillë, pasi sipas ekspertëve, këto impulse nuk janë në harmoni me ligjet aktuale të fizikës dhe mund t’i hapin rrugën fenomeneve deri më tani të panjohura.

Valët radio anormale që janë regjistruar nga një grup ndërkombëtar pune në qershor 2025, mund të jenë grimca subatomike ultraenergjetike, ose neutrine kozmike që kanë një energji të jashtëzakonshme, por nuk janë me origjinë tokësore, pavarësisht se janë përplasur në akujt e Antarktidës.

Sipas studiuesve, ekzistojnë disa skenarë, ndër të cilët këto valë mund të jenë gjurmë të antimateries ose të ashtuquajturës Masë e Errët. Por mund të jenë edhe pasojë e fenomeneve të tjera, apo grimca kozmike të panjohura plotësisht për ne deri më sot.

Në bazë të instrumenteve që njerëzimi dhe shkenca disponojnë aktualisht, ata janë në gjendje të kapin sinjale që kanë origjinë të paktën 10 mijë vite dritë larg nga Toka, pasi një sinjal i tillë duhet të udhëtojë përmes hapësirës që të lërë gjurmë.

SETI, programi për kërkimin e jetës jashtëtokësore, ka nisur kërkimet prej vitesh me radioteleskopët më të fuqishëm për të gjurmuar sinjale elektromagnetike nga rreth një milion yje më të afërt me Diellin.
Madje, objektiv është edhe skanimi i qendrës së Rrugës së Qumështit dhe 100 galaktikave më të afërta me ne.

Por nëse ekzistojnë civilizime jashtëtokësore, ata mund të arrijnë gjithashtu të kapin radiosinjalet që ne përdorim për të komunikuar me sondat hapësinore.

Në fakt, sistemi Deep Space Network (DSN) i NASA-s, që prej vitit 1972 lëshon sinjale në kufijtë e sistemit Diellor ndaj sondave Voyager 1 dhe 2, New Horizons, Pioneer 10, 11, etj, misione me të cilat janë mbajtur komunikimet përmes mesazheve radio për dekada të tëra.

Sipas astronomëve, në bazë të analizimeve, sinjalet tona deri më tani kanë mbërritur të paktën në 4 yje të Galaktikës sonë, ndër 330 mijë që ndodhen përreth Diellit, dhe përgjigjet e një civilizimi hipotetik alien duhet të arrijnë tek ne brenda vitit 2029.

Po pse duhet kaq shumë kohë?

Distancat që drita, apo një valë elektromagnetike duhet të përshkojë, janë të ndryshme, sikurse edhe koha ka variacione të thella. Një rreze drite është mjaft e shpejtë dhe në vetëm një sekondë kryen 7 herë xhiron rreth Tokës, me një shpejtësi prej rreth 300 mijë km/sek.

Ndërsa distancën Tokë-Hënë drita e përshkon për 1.3 sekonda, për të arritur në Mars i duhen 3 minuta, nga Dielli i duhen 8 minuta për të ardhur deri te ne, e nga Neptuni, planeti më i jashtëm i sistemit, plot 4 orë.

Por po të përllogaritet koha përtej kufijve tanë, ku ylli më i afërt, Proxima Centauri, ndodhet 4 vite dritë larg, pra dritës i duhen 4 vite udhëtim; e nga qendra e galaktikës Rruga e Qumështit, i duhen 27 mijë vite. Rrezja më e largët e dalluar ndodhet 13.7 miliardë vite dritë larg, por me një univers që është në zgjerim të vazhdueshëm, shifrat mund të vijojnë pafund.

Kërkimet për gjetjen e jetës apo civilizimeve përtej Tokës vijojnë. Pas viteve ’50 të shekullit të kaluar, teori të shumta pushtuan globin për praninë e alieneve. Shumica e shkencëtarëve shprehen se, me probabilitet, nuk jemi vetëm në univers, duke konsideruar pafundësinë e tij, ku vetëm kozmosi i vrojtueshëm numëron mbi 2 mijë miliardë galaktika.

Programet shkencore nga agjencitë hapësinore kryesore nuk janë të pakta, por raportet flasin qartë. Nuk janë të pakta as programet e nisura nga departamentet e mbrojtjes amerikane apo edhe të superfuqive të mëdha. Në vitet e fundit janë të paktën mbi 120 imazhe, video apo fenomene të vrojtuara nga pilotë ushtarakë mbi mjete të paidentifikuara.

Pas revizionimeve të detajuara, raportet kanë dhënë gjithnjë shpjegime teknike, duke mohuar në të gjitha rastet ekzistencën e UFO-ve, civilizimeve aliene apo fenomeneve të pashpjegueshme, faktime zyrtare të cilat kanë lënë pas të tjera mistere që kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqejnë shumë teori konspirative.