Ballina Kosovë Sulmi ndaj Iranit, Kurti: Kosova është krah SHBA! Siguria ndërkombëtare nuk ka...

Sulmi ndaj Iranit, Kurti: Kosova është krah SHBA! Siguria ndërkombëtare nuk ka nevojë për më shumë armë bërthamore

10
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmeve të fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore të Iranit, duke theksuar nevojën për më pak armë bërthamore në botë dhe duke rikonfirmuar mbështetjen e Kosovës për qëndrimin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian ndaj programit bërthamor iranian.

Në një postim në Facebook, Kurti shkruan:

“Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese”.

Kryeministri nënvizoi se Republika e Kosovës qëndron në krah të SHBA-së dhe BE-së në përballjen me kërcënimin që paraqet ambicia bërthamore e Iranit:

“Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare.”

Ai gjithashtu ritheksoi lidhjet e ngushta të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

“SHBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. SHBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur.”

Reagimi i Kurtit vjen në një moment kur situata në Lindjen e Mesme është tensionuar ndjeshëm pas operacionit ushtarak amerikan ndaj tri centraleve bërthamore iraniane – një veprim që ka shkaktuar reagime të fuqishme në mbarë botën.