Policia e Shtetit ka gjobitur drejtuesin e një mjeti lundrues (skaf) i cili ka lundruar brenda perimetrit të sigurisë për pushuesit në zonën e Velipojës.
Sipas një njoftimi nga policia bëhet e ditur se drejtuesit të mjetit lundrues, shërbimet e Policisë Kufitare i vendosën masën administrative prej 100 000 lekësh të rinj.
“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një mjet lundrues tip skaf, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë për pushuesit, në zonën e Velipojës, ju informojmë se: Shërbimet e Policisë Kufitare kanë identifikuar drejtuesin e mjetit, shtetasin A. M., 32 vjeç, dhe kanë bërë bllokimin e mjetit lundrues. Drejtuesit të mjetit lundrues, shërbimet e Policisë Kufitare i vendosën masën administrative prej 100 000 lekësh të rinj, në bazë të ligjit nr. 43/2020, neni 24, germa ‘c’ “, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me përpikëri rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë së përcaktuar për pushuesit në plazhe.