Nga Eduard Zaloshnja
Është shkruar e folur shumë deri më sot për votat që mori mazhoranca dhe opozita kryesore më 11 maj, por pak është analizuar elektorati gri. Në paragrafët e mëposhtëm do të mundohem të paraqes një analizë koncize të kësaj pjese të elektoratit – duke iu referuar shifrave elektorale.
Nga një sondazh rigoroz që drejtova në terren (nga Vermoshi në Konispol) pas zgjedhjeve të 11 majit, më rezultoi se 76.4% e zgjedhësve brenda vendit votuan. Duke ditur (prej KQZ-së) që rreth 1 milion e 460 mijë zgjedhës brenda vendit votuan, llogaritet thjesht se rreth 450 mijë nuk votuan (pra rreth 1.91 milionë zgjedhës gjithsej ishin këtu më 11 maj).
Rreth 55 mijë votues u ngatërruan me fletët e votimit si fletë gazetash, e për rrjedhojë, u rezultuan votat të pavlefshme. Por duke presupozuar se vullneti i tyre i mohuar nga gabimet në votim ka qenë i shpërndarë proporcionalisht mes partive, mund të themi se rreth 810 mijë zgjedhës të këtushëm votuan për mazhorancën (PS+PSD), rreth 500 mijë votuan për PD-ASHM, rreth 150 mijë votuan për partitë e tjera, dhe rreth 450 mijë nuk votuan fare (shihni grafikun e mëposhtëm).
Grafiku tregon qartë se rreth 600 zgjedhës nuk përkrahën as mazhorancën (PS+PSD) dhe as opozitën kryesore (PD-ASHM). Por nga këta 600 mijë, vetëm 150 mijë votuan për partitë jashtë dy kampeve kryesore…
Nga 3.71 milionë shtetas në listat e zgjedhësve, vetëm 1.91 milionë ishin brenda vendit më 11 maj. Po 1.8 milionë të tjerët që ishin jashtë vendit si votuan?
Ndër ta, rreth 1.6 milionë nuk votuan fare. Kurse ndër rreth 200 mijët që votuan, rreth 125 mijë ja dhanë votën mazhorancës (PS+PSD), rreth 47 mijë opozitës dhe rreth 28 mijë partive jashtë dy kampeve kryesore (shihni grafikun e mëposhtëm).
Analiza e mësipërme tregon se partitë e reja nuk arritën ta frymëzojnë elektoratin gri brenda vendit, dhe aq më pak atë jashtë vendit. Pa një pjesëmarrje masive të elektoratit gri (brenda e jashtë vendit) në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, as që mund të mendohet për një lëkundje të duopolit aktual politik në Shqipëri…