Pajisja e rrezatimit Akseleratori Linear 2, një nga dy aparaturat kryesore për trajtimin e tumoreve në Spitalin Onkologjik në QSUT, ka dalë jashtë funksionit prej disa ditësh. Burime nga spitali konfirmojnë se pajisja ka pësuar defekt teknik dhe po punohet për riparimin e saj, me pritshmërinë që të rivendoset në funksion javën e ardhshme.
Ky nuk është rasti i parë që pacientët onkologjikë përballen me ndërprerje të radioterapisë, për shkak të problemeve me akseleratorët. Më herët, trajtimi i pacientëve u pezullua edhe për shkak të një problemi me derën e bunker-it, ku ndodhet pajisja, e cila kishte mbetur e hapur dhe kërkonte ndërhyrje teknike.
Aktualisht, vetëm një akselerator është funksional, çka nuk është e mjaftueshme për të përballuar fluksin e pacientëve që vijnë nga i gjithë vendi për trajtim. Radioterapia është pjesë thelbësore e trajtimit të sëmundjeve tumorale, dhe çdo vonesë ose ndërprerje mund të komprometojë rezultatet klinike dhe të rrezikojë seriozisht shëndetin e pacientëve.
Përballë kësaj situate, familjarët dhe pacientët kërkojnë zgjidhje urgjente, ndërsa autoritetet shëndetësore ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare për shkakun e defektit apo planin për garantimin e trajtimit të pandërprerë në të ardhmen.