Ballina Rajoni Beogradi në prag protestash masive – Studentët kërkojnë zgjedhje, Vuçiç: Shteti do...

Beogradi në prag protestash masive – Studentët kërkojnë zgjedhje, Vuçiç: Shteti do mbrohet, qoftë me dhunë

15
0

Beogradi po përgatitet për një protestë të re të shtunën, e cila pritet të jetë ndër më të mëdhatë të udhëhequra nga studentët, pas gati tetë muajsh tubimesh që kanë sfiduar seriozisht autoritetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Studentët kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe ndërprerjen e një demonstrate kundër-protestuesish në qendër të kryeqytetit.

Sipas mediave ndërkombëtare, tensionet janë rritur ndjeshëm përpara protestës së 28 qershorit, e cila organizohet nga studentët e universiteteve të Serbisë – një nga shtyllat kryesore të demonstratave të vazhdueshme kundër korrupsionit në vend. Protestat nisën pas tragjedisë së 1 nëntorit, kur një pjesë e çatisë së rinovuar të stacionit hekurudhor në Novi Sad u shemb, duke marrë jetën e 16 personave. Ngjarja nxiti zemërim të madh publik dhe akuzat ndaj qeverisë për korrupsion të përhapur dhe neglizhencë në projektet e infrastrukturës.

Përballë kërkesave të protestuesve, presidenti Vuçiç dhe partia e tij në pushtet, Partia Progresive Serbe, kanë refuzuar të shpallin zgjedhje të parakohshme, duke akuzuar organizatorët e protestave se “po planifikojnë të shkaktojnë dhunë me urdhër nga jashtë”.

Në një deklaratë për mediat, Vuçiç ka paralajmëruar se pret që mbrëmja e së shtunës të jetë e trazuar: “Nga ora 15:00 deri në 21:00, prisni fillimin e dhunës – por ne jemi gati,” është cituar të ketë thënë ai, duke shtuar se “shteti do të mbrohet dhe banditët do të nxirren para drejtësisë”.

Studentët që kanë bllokuar fakultete të ndryshme në Beograd kanë lëshuar një ultimatum: nëse deri më 28 qershor në orën 21:00 nuk plotësohen dy kërkesat kryesore – shpallja e zgjedhjeve të reja dhe ndërprerja e kundër-protestës në qendër të Beogradit – atëherë do të ftojnë qytetarët në “mosbindje civile në të gjitha format”. Ndërkohë, kundërshtarët e studentëve protestues, në sheshin qendror, e quajnë veten “studentët që duan të mësojnë” dhe janë shprehur kundër bllokadave në universitete.

Protestat e studentëve, që zgjasin prej më shumë se shtatë muajsh, kanë marrë përkrahje të gjerë dhe konsiderohen si një sfidë serioze ndaj pushtetit të presidentit Vuçiç, i cili është përballur me kritika të ashpra për mënyrën si po menaxhohet përgjegjësia politike dhe penale për tragjedinë e nëntorit në Novi Sad.