Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, denoncoi publikisht masa që i cilëson si represive të aplikuara ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në IEVP “Jordan Misja”, ku ai ndodhet në paraburgim. Sipas Blushit, Metës i është ndaluar e drejta për të realizuar një konferencë me gazetarë, si dhe kontakti me një nga avokatët e tij, Dylejman Karaj, nga Studio Ligjore “Cakrani”.
“Meta nuk e realizoi konferencën me gazetarët në telefonin tim sepse në ‘Jordan Misja’ u aplikua një ‘blackout’ total për telefonatat”, deklaroi Blushi.
Sipas tij, masat janë intensifikuar menjëherë pas një bisede telefonike që Meta ka zhvilluar me gazetaren Beti Njuma. Ai akuzon qeverinë për “frikë nga e vërteta” dhe për “shtypje të lirisë së fjalës”.
“Meta po mbahet në izolim ekstrem, pa asnjë fakt apo provë penale. Ndalohet të takojë jo vetëm avokatët, por edhe familjarët, deputetë, eurodeputetë dhe drejtues të Partisë së Lirisë”, u shpreh Blushi.
Blushi bëri gjithashtu publike një pjesë nga relacioni i fundit i SPAK, duke theksuar se aty “nuk ka asnjë fakt apo akt penal të kryer nga Ilir Meta”. Ai e quajti këtë proces “farsën e shekullit”, duke theksuar se “ajo do të çmontohet në Tiranë dhe Strasburg”.