Jamie Bynoe-Gittens po përgatitet për një hap të madh në karrierën e tij të re. Anësori i talentuar i Borussia Dortmund është pranë një rikthimi në atdhe për t’u bashkuar me skuadrën e Chelseat. Klubi londinez ka ndjekur prej kohësh zhvillimin e sulmuesit, dhe pas negociatave intensive, gjithçka tregon se transferimi do të zyrtarizohet menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, kompeticion ku lojtari është ende i angazhuar me skuadrën gjermane.
Shuma e rënë dakord mes dy klubeve është rreth 65 milionë euro, një investim i konsiderueshëm nga ana e Chelseat, që tregon besimin e madh në potencialin e reprezentuesit anglez. Bynoe-Gittens, i cili iu bashkua Dortmundit si adoleshent, ka fituar gjithnjë e më shumë hapësirë në Bundesliga, falë aftësisë së tij për të dribluar dhe krijuar rrezik nga krahu i majtë.
Në moshën 20-vjeçare, ai ka arritur të imponohet në një ambient shumë konkurrues dhe me pritshmëri të larta.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re në Angli, ku disa klube kishin shprehur interesim për shërbimet e tij. Megjithatë, ishte pikërisht Chelsea që ka treguar vendosmërinë më të madhe për ta transferuar.
Ende mbeten disa detaje për t’u finalizuar para se gjithçka të bëhet zyrtare, por marrëveshja kryesore është mbyllur dhe tashmë është vetëm çështje kohe para se të njoftohet publikisht. Synimi i Chelseat është që Bynoe-Gittens të jetë pjesë e skuadrës që në nisje të përgatitjeve për sezonin e ardhshëm, me idenë për ta integruar sa më shpejt në dinamiken e ekipit të parë.
Kthimi i të riut anglez në shtëpi duket i pashmangshëm – dhe do të jetë në një prej skenave më sfiduese dhe ambicioze të futbollit evropian.