Ballina Kronika Ekzekutimi i Elis Roshkodolit, zinxhir hakmarrjesh nga jashtë vendit! Krim i organizuar,...

Ekzekutimi i Elis Roshkodolit, zinxhir hakmarrjesh nga jashtë vendit! Krim i organizuar, maska dhe targa false

0
10

Prokuroria e Posaçme dyshon se pas vrasjes së Elis Roshkodolit qëndron një grup i strukturuar kriminal, i krijuar për të marrë hak për konflikte të ndodhura jashtë Shqipërisë.

Viktima, i cili ishte rikthyer nga Belgjika një vit para se të ekzekutohej, dyshohet se ishte në shënjestër për shkak të një përplasjeje të mëparshme.

Për atentatin e ndodhur një vit më parë janë arrestuar Voltan Xhani dhe kushëriri i tij që punonte në një servis të marrë me qira.

Ndërkohë, Dritan Milani është ende në kërkim. Ky i fundit ka qenë vetë objekt i një atentati më herët, ku u plagos edhe vëllai i tij, Olger Stolaj.

Hetuesit kanë rindërtuar me detaje skenën e krimit. Elis Roshkodoli po qëndronte në një lokal me një mik, kur një person i maskuar me një maskë mbrojtëse Covid iu afrua dhe e qëlloi për vdekje.

Autori kishte ardhur me një automjet me targa të vjedhura në Mal të Zi, të cilat më pas i zëvendësoi me targa të denoncuara si të humbura nga një shtetas gjerman, i përfshirë në hetime për mashtrime në vendin e tij.

Prokuroria, pasi analizoi pamjet e dhjetëra kamerave të sigurisë, beson se dy persona të tjerë ndodheshin në automjetin që priste autorin, me dyert hapur, gati për të ndihmuar në arratisje.

Nga dëshmitë e mbledhura del se Roshkodoli kishte përjetuar tragjedi të mëdha familjare. Kishte humbur babanë dhe të vëllanë në një aksident.

Ai kishte shprehur dëshirën për t’u larguar sërish nga vendi dhe sipas një dëshmitari, kishte shitur makinën duke thënë se do të ikte.

Në dëshminë e saj prekëse, nëna e Elis Roshkodolit tha se ai ishte i vetmi djalë që i kishte mbetur gjallë. Ajo shprehu se nuk kishte vënë re ndonjë shqetësim tek ai përpara vrasjes dhe se po përgatiste dokumentet për të udhëtuar jashtë Shqipërisë.

Ajo i ka dhënë prokurorëve numrat e telefonit të disa prej shokëve të të birit, me të cilët ai takohej pas kthimit nga Belgjika, mes tyre të rinj nga Elbasani, Korça dhe Shkodra.