Ballina Bota Iran, varrosen oficerë e shkencëtarë bërthamorë të vrarë gjatë luftës me Izraelin

Iran, varrosen oficerë e shkencëtarë bërthamorë të vrarë gjatë luftës me Izraelin

11
0

Irani po mban një funeral shtetëror për rreth 60 oficerë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë të vrarë gjatë luftës 12-ditore me Izraelin.

Disa komandantë të lartë të forcave të armatosura iraniane, si dhe një duzinë shkencëtarësh bërthamorë, u vranë në bombardimet izraelite.

Autoritetet iraniane po i nderojnë ata me një funeral shtetëror.

“E shtuna do të jetë një ditë historike për Iranin Islamik dhe historinë e revolucionit”, tha Mohsen Mahmoudi, zyrtar fetar për provincën e Teheranit.

Herët këtë mëngjes, mediat iraniane transmetuan imazhet e para të ceremonive, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Fotografitë tregojnë arkivole të mbuluara me flamuj iranianë dhe portrete të komandantëve të rënë në uniformë.

Raportohet se udhëheqësi Suprem Ali Khamenei, në pushtet që nga viti 1989, ka udhëhequr funeralet shtetërore në të kaluarën.

Por nuk është konfirmuar nëse ai do të paraqitet sot.

Një zyrtar i lartë ushtarak izraelit tha dje se Izraeli ka vrarë më shumë se 30 zyrtarë të lartë të sigurisë dhe 11 shkencëtarë kryesorë bërthamorë në një përpjekje për t’i dhënë një goditje të rëndë ambicieve bërthamore të Iranit.

Irani mohon zhvillimin e armëve bërthamore dhe thotë se ka të drejtë të ndjekë një program bërthamor civil.