Lindi në Boletin të Mitrovicës. Por, 52 vjet më vonë, u vra në Podgoricë.
Edhe varrin, Isa Boletini, për gati një shekull e kishte në shtetin malazez. E kthimi i eshtrave të heroit në vendlindje, nuk ishte i lehtë.
Por, në vitet e ’90-ta, këtë mision e mori përsipër, një imam nga Mitrovica. Bëhet fjalë për Mulla Asllan Muratin.
Nipi i tij, Nexhat Murati, zbulon se si nisi procesi i vështirë, për kthimin e eshtrave të heroit në Kosovë.
“Presidenti historik (Ibrahim Rugova) ka organizuar nëpërmjet Latif Berishës, se qysh me organizua bartjen e eshtrave. Ka qenë kohë e vështirë, më fol drejt, askush nuk ka guxuar ta marr timonin edhe të shkojë ta bëj bartjen e tyre. Ky (Asllan Murati) në atë kohë e organizon brenda Kosovës dhe në Podgoricë, me imamin e Podgoricës, për ta filluar bartjen e eshtrave”, tregon Murati.
Pas kësaj, imami mitrovicas mori rrugën për Podgoricë.
Më të arritur tek varri i Isa Boletinit, Mulla Asllanit para i doli një mundësi e artë.
“E shohin se në atë vend ka filluar të ndërtohet një fushë sportive. Mulla Asllan Murati thotë se e kemi një anë pozitive, sepse në fenë islame nuk lejohet shkelja e varrezave. Pastaj e bëjnë një shkresë në gazetën e Podgoricës së atëhershit se familjarët po kërkojnë tërheqjen e eshtrave, ani pse nuk thonë se janë eshtrat e Isa Boletinit”.
Pas kësaj, autoritetet malazeze e lejojnë tërheqjen e eshtrave.
Këta për një kohë, u ruajtën në Bashkësisë Islame të Mitrovicës.
Nga këtu, u varrosën tek xhamia e “Haxhi Veselit” ku qëndruan gjatë kohës së luftës.
E më të përfunduar lufta, situata e krijuar në Mitrovicë, e frikësoi mulla Asllanin.
Kështu ky nisi edhe një mision sekret, të cilin e dinin vetëm disa familjarë.
“Pas një kohë të shkurtë me familjen e ngushtë, brenda natës i kemi vendos në shtëpinë e të ndjerit, Mulla Asllanit, ku aty ka qenë një shupë e druve dhe i kemi shti ashtu me saldim e krejt, derisa kanë kërkuar institucionet me i dorëzua”, tregoi nipi Nexhat Murati.
E në vitin 2015, një shekull pas vrasjes, Isa Boletini do të rivarrosej me nderime shtetërore, në oborrin e kullës së tij në Boletin.