Të paktën 11 persona, përfshirë tre fëmijë dhe tre gra, kanë humbur jetën nga përmbytjet e menjëhershme në rajonin malor veriperëndimor të Pakistanit.
Sipas një deklarate të Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive në provincën Khyber Pakhtunkhëa, përmbytjet kanë lënë të plagosur edhe gjashtë persona të tjerë. Po ashtu, janë dëmtuar 56 banesa, ndërsa gjashtë prej tyre janë shkatërruar plotësisht.
Dhjetë nga viktimat janë regjistruar në Luginën Swat, ku një rritje e papritur e nivelit të ujit në një lumë ka përfshirë familjet që ndodheshin në brigjet e tij, raportojnë mediat lokale.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Pakistanit ka paralajmëruar se rreziku për reshje të dendura dhe përmbytje të mëtejshme mbetet i lartë të paktën deri ditën e martë të javës që vjen.
Pakistani është një nga vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike në botë, me një popullsi prej rreth 240 milionë banorësh, po përballet gjithnjë e më shpesh me ngjarje ekstreme të motit.
Në maj, rreth 24 persona humbën jetën në stuhi të forta në Pakistan. Në gusht të vitit 2022, një e treta e vendit u përmbyt për shkak të reshjeve të papara të musoneve, duke prekur më shumë se 33 milionë njerëz./DW