Ballina Politika Partia e të përndjekurve, kundër kandidatit të Berishës për Avokatin e Popullit:...

Partia e të përndjekurve, kundër kandidatit të Berishës për Avokatin e Popullit: Ka qenë i lidhur me diktaturën!

10
0

Një nga partitë politike të së djathtës, që përfaqëson të drejtat e ish-të përndjekurve politikë të diktaturës komuniste, është shprehur kundër kandidatit të Sali Berishës për postin e Avokatit të Popullit.

Në një deklaratë publike, Ilir Vata, kryetar i Partisë për Të Drejtat e Mohura, thekson se Besim Ndregjoni, kandidati i propozuar nga Berisha, fyen të përndjekurit, pasi ka qenë i lidhur me strukturat e diktaturës në kohën e Enver Hoxhës.

Deklarata e plotë

Berisha kërkon të vendosë në krye të Avokatit të Popullit një ish-zyrtar të diktaturës – një akt që fyen demokracinë dhe viktimat e saj.

Partia e të Drejtave të Mohuara (PDM) dënon me forcë përpjekjen e Sali Berishës për të vendosur në krye të institucionit të Avokatit të Popullit një figurë që ka qenë drejtues i Bashkimeve Profesionale të PPSH-së – një strukturë e lidhur drejtpërdrejt me shtypjen dhe shtetin diktatorial.

Ky është një veprim i papranueshëm dhe një tjetër tregues se Berisha nuk ka reflektuar asnjëherë për rolin e tij në regjimin e kaluar, as për dëmet që ka shkaktuar ndaj të përndjekurve politikë dhe ndaj vetë themeleve të demokracisë.

Fatkeqësisht, sot kemi individë që, të veshur me mantelin e viktimës, shtiren si të përndjekur, ndërkohë që në të vërtetë kanë qenë bashkëpunëtorë të regjimit. Këta individë janë një fatkeqësi për demokracinë shqiptare, sepse e përdorin dhimbjen dhe historinë e të përndjekurve për përfitime personale dhe politike.

PD ka figura me integritet dhe kapacitet intelektual të lartë që mund ta përfaqësojnë me dinjitet popullin në këtë institucion të pavarur. Por zgjedhja e një të shtiruri si “i përndjekur” është një përpjekje për të bërë pis procesin.

Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama që të mos votojë një mëkatar në krye të Avokatit të Popullit.

Sali Berisha e la të digjej në flakë Lirak Bejkon. Ai nuk i ndihmoi kurrë të përndjekurit politikë, i la pa dëmshpërblim, pa integrim dhe në mjerim. Dhe sot, guxon të tallet sërish me ta.

Kryeministri Rama, ndonëse jo i përsosur, ka bërë hapa të rëndësishëm për të njohur dhe për të dëmshpërblyer të përndjekurit. Ne kemi bindje që ai nuk do të lejojë që në krye të një institucioni kaq të rëndësishëm dhe të ndjeshëm si Avokati i Popullit, të vendoset një figurë me të kaluar të errët.

Avokati i Popullit duhet të jetë zëri i qytetarëve, jo zgjatimi i një diktature të rikthyer me maskë demokratike.

Kryetari i PDM,

Ilir Vata