Ballina Opinion Po vetja ime a vazhdon të jetë e njëjta?

Po vetja ime a vazhdon të jetë e njëjta?

0
8

Nga Çapajev Gjokutaj

Pa hapur mirë sytë dëgjoj guguftunë që këndon në pishën përbri dritares. Kam renë në shtrat pasnesnate dhe kam bërë gjumë të keq, ndaj sot kënga e guguftusë nuk më ngjan si gazmend mëngjesi. Anon më shumë nga vajtimi, them me vete, dhe vetiu më vijnë në mend disa mëngjese vere në mesin e viteve ‘1950.

Kisha shkuar për disa ditë në fshat dhe agimeve, pa dalë ende dielli, më zgjonte vajtimi i hallës. Gjysmë përgjumësh dëgjoja vargjet dhe e kuptoja se qante të motrën dhe të vëllain. Kishin vdekur pa i mbushur të dyzetat, në një interval disa mujor nga njeri-tjetri.

Kur u ktheva në shtëpi, ime më më shpjegoi se ashtu ishte zakoni. Gratë që kishin humbur të afërm vajtonin mëngjeseve gjatë gjithë kohës që ishin në zi. Dhe zija për të afërmit zgjaste minimumi një vit.

Nuk mbaj mend që atëherë të kem patur ndonjë qëndrim ndaj këtij zakoni. Gjithsesi zëri i hallës që vajtonte me ligje kishte lenë vragë në kujtesën time, ndaj do të më përhihej gjatë gjithë jetës. Vajtimi shfaqej njësoj, por qëndrimi im ndaj tij ndryshonte, madje kthehej edhe në të kundërt.

2.

Fillimisht e kujtoja thjesht për atmosferën gotike: vajtimi në gjysëmerrësirën e shtëpisë përdhese, ku hijet e natës bënin betejën e fundit me dritën e agut; halla që fliste me të dashurit e vdekur dhe u përcillte lajme për familjet, vëllazërinë, fshatin. Errësirë dhe dritë, të gjallë e të vdekur, frikë dhe dhembshuri, të gjitha përzier bashkë si në këngën e Dhoqinës.

Më pas, në mesin e viteve ‘60, në rininë e hershme, i etur për vëmendje e afirmim, do t’i hyja dhe unë ‘kryengritjes’ kundër autoritetit, zakoneve, mendësive tradicionale. Kjo periudhë e zhvillimit vetjak përkoi me fushatat për emacipimin e gruas, ndaj vajtimet e hallës nuk do t’i nëpërmendja më për frymën gotike.

Do t’i kujtoja si dëshmi e diskriminimit të gruas. S’mjaftonte që lodheshin e rropateshin gjithë ditën në punë cfilitëse, mes skamjes e paragjykimeve, por duhej edhe ta helmonin ditën duke vajtuar qysh kur hapnin sytë. Zakoni, thoshja me vete, diskriminon gratë; pse nuk ua ka lenë një pjesë të hidhërimeve dhe cfilitjeve fizike e shpirtërore edhe burrave?

Më vonë akoma, shumë më vonë, do të mësoja nga burime serioze shkencore se e qara, në një pjesë të mirë të rasteve, i bën mirë shëndetit fizik e mendor të atij që qan. Zbut stresin, lehtëson dhimbjet shpirtërore dhe ato fizike, përmirëson humorin etj.

Dhe të gjitha këto nuk thuhen me hamëndje, as thjesht mbi bazën e vetëndjerjes së atij që porsa ka qarë, por mbi bazë analizash laboratorike që masin sasinë e oksitocinës apo endorfinës, shkallën e aktivizimit të sistemit nervor parasimpatetik si dhe elementë të tjerë që sjellin relaks dhe përmirësojnë vetëndjerjen.

Kështu, parë nga të dhëna laboratorësh bashkëkohorë,  vajtimet e grave nuk do më rezultonin më diskriminim, por një veprim i zgjuar, praktik e jetëdhënës.

Në mëngjes, pa nisur ferri i punëve dhe shqetësimeve të ditës, gjenin disa minuta të qanin të afërmit, të ndiheshin mirë në raport me ta dhe me zakonin, por njëkohësisht edhe të gjeneronin hormone që sidokudo zbusnin streset dhe qetësonin trurin dhe trupin.

Vërtet ishin të pashkolla por, qysh nga kohë që s’mbahen mend, gratë dhe nënat kanë patur prirjen të jenë më pranë jetës, të mësojnë prej saj, ta mëkojnë dhe përmirësojnë përmes prakticitetit, përkushtimit dhe dashurisë.

3.

Kjo puna e vajtimit ngjan se i kalon caqet e një dukurie të vetme dhe priret të marrë vlera përgjithësuese. I njëjti veprim, vajtimi i gruas për të afërmit e vdekur, ka marrë në mendjen time vlera  e kuptime të ndryshme.

Dhe nuk ka qenë thjesht mosha që ka përcaktuar këto shndërrime, kanë ndikuar edhe formimi, gjendja emocionale e momentit, informacioni që kam patur, ideologjia mbizotëruese në çastin e perceptimit etj.

Duke ecur  këtij monopati të meditimit, më shkrepëtin një mendim i çuditshëm: mirë vajtimi që ndryshon e shndërrohet, është dhe s’është i njëjti, po vetja ime a ka qenë dhe mbetet e njëjta?