Ballina Ekonomia Regresi i heshtur i industrisë së sigurimeve

Regresi i heshtur i industrisë së sigurimeve

0
8

Në gjysmën e dytë të viteve 2000′, kur në tregun shqiptar të sigurimeve filluan të hynin lojtarë prestigjozë nga jashtë, shumë shpresuan se industria do të futej në një proces të thellë transformimi dhe modernizimi ashtu siç kishte ndodhur me sistemin bankar.

Shqipëria ishte një vend pa përvojë në fushën e sigurimeve dhe ardhja e emrave të mëdhenj europianë ishte shansi perfekt për të përfituar nga dividenti menaxherial dhe ekspertiza e tyre qindra vjeçare. Por kjo nuk ndodhi dot asnjëherë plotësisht.

Pavarësisht futjes së kompanive të huaja, menaxhimi i kompanive shqiptare të sigurimeve mbeti lokal. Kjo pengoi përcjelljen e plotë të standardeve të larta në treg, frenoi progresin substancial në qeverisjen korporative dhe pamundësoi nxjerrjen e plotë të industrisë nga risku i konfliktit të interesit.

Si rezultat, tregu shqiptar i sigurimeve nuk u thellua dot asnjëherë ashtu sikurse ishin pritshmëritë, por mbeti një pazar i cekët që në pjesën dërrmuese tregton produktet e detyruara nga ligji. Megjithatë progresi i paktë është gjithmonë më mirë se regresi. Dhe zhvillimet e fundit në arkitekturën e tregut të sigurimeve shkojnë në kahun e këtij të fundit.

Largimi i grupit Uniqa shënon një prapësim domethënës për industrinë shqiptare të sigurimeve. Ky nuk ishte një transaksion çfarëdo, por kthimi i lojtarit më të madh të tregut në një biznes individual. Për paralelizëm, supozoni vetëm për një moment, sikur Banka Kombëtare Tregtare apo Raiffeisen të kalonin në pronësi individuale.

Kjo do të ishte një goditje e fortë, e cila nuk do të mund të kalonte dot pa zhurmë. Sigal është një pasuri, po aq strategjike për Shqipërinë sa BKT dhe Reiffeisen. E megjithatë në rastin e tregut të sigurimeve, këto zhvillime duket sikur nuk shqetësojnë askënd. Duke filluar nga rregullatori.

Fatkeqësisht Shqipëria nuk ndërtoi dot asnjëherë një rregullator të fortë dhe me pavarësi të plotë për të mbikqyrur tregun e sigurimeve. Në vend të kësaj, krijoi një Autoritet të Mbikqyrjes Financiare, që sot mund të jetë rregullatori më i bullizuar në Europë, nga industria që duhet të rregullojë. Kryesisht me hir. Dhe kur kjo nuk ka mjaftuar, edhe me pahir.

Tani Shqipëria është në kushtet, ku mbi 60 për qind e tregut të sigurimeve është me pronësi individuale, e cila në shumë raste nuk mbështetet me asgjë tjetër nga pas. Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, brenda kësaj armate pronarësh ka dhe individë me rekorde të theksuara problematike në qeverisjen e korporatave, të cilët menaxhojnë kompanitë e tyre sipas modelit “vet Ali, vet Kadri”.

Kjo është një situatë, e cila shtron nevojën për rregullime më të forta ligjore dhe tashmë Shqipëria duhet të konsiderojë seriozisht ndarjen e menaxhimit nga pronësia në tregun e sigurimeve për të kufizuar riskun e konfliktit të interesit.

Dhe nëse rregullatori është i pafuqishëm të mitigojë këto risqe, të tjerët mbi të nuk mund të heshtin. Nga qeveria tek Parlamenti.

Industria e sigurimeve është një nga nyjet më kritike të sistemit financiar dhe të ekonomisë në tërësi. Ajo garanton sigurinë financiare, zbut rreziqet dhe krijon aktivitet ekonomik, që pa të do të ishte i pamundur. Ndaj regresi i sigurimeve nuk mund të jetë i heshtur./kapital