Ish-ministrja dhe ish-deputetja e PD-së, Majlinda Bregu rrëfeu sot mbi disa prej ngjarjeve të bujshme të Partisë Demokratike, një prej të cilave konsideroi edhe largimin e një grupi të mirë nga PD, që sipas saj ndodhi më një të rënë të lapsit.
Në një intervistë në Euronews Albania, Bregu tha se Lulzim Basha e zgjati shumë pjesën e të kuptuarit që nuk bën në politikë
Bregu shtoi se një parti në opozitë nuk ka luks të jetë qesharake, ndryshe nga pushteti ku mund ta kesh luksi të bësh gabime.
“Një grup i mirë u larguam nga PD me një vendim, me një të rënë të lapsit. Asnjëri nga ne nuk u largua nga PD vetë, por u larguam si unë, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Jozefina Topalli dhe një tufë deputetësh, një grup i mirë. PD kishte një lidership me model heroin dhe një militantizëm shumë pro modelit të liderit hero, figura kryesore e legjendës politike. Më pas, për shkak të këtij modeli, nuk arriti të krijonte diçka të qëndrueshme. Më vjen keq që e përsëris, nuk kam ndonjë gjë personale ndaj Bashës, por ai e konfirmoi veten në zgjedhjet e fundit: në politikë ose bën, ose nuk bën. Është kot të zgjatemi – o bën, o s’bën. Nuk është qamet që nuk bën në politikë, por Lulzim Basha e zgjati shumë këtë pjesë të të kuptuarit që nuk bën në politikë. Nuk ishte faji i tij, pasi kryetari legjendar ia dhuroi partinë, e kur ke diçka dhuratë, as dhimbja asgjë nuk të bën, pasi ti e sheh si lodër. Kështu që shumë vite shkuan dëm dhe më vjen keq që PD, me ndërgjegje të pastër dhe pa dhimbje, vrau një grup të mirë politikanësh. Në opozitë nuk ke luks të jesh qesharak, ndryshe nga pushteti ku mund ta kesh luksi të bësh gabime. Kjo fatkeqësisht ndodhi me PD-në,” -u shpreh Bregu.