Avokati Idajet Beqiri thotë se Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u paraqit në SPAK, pas kallëzimit të bërë prej tij.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri u shpreh se ndaj Nokës është regjistruar procedim penal, teksa akuzohet për disa vepra penale, si korrupsion dhe shpërdorim i detyrës.
“Flamur Noka nuk kishte si të thoshte ndryshe. Nuk ka lidhje me krimin zgjedhor. Dje Flamur Noka vajti, procedimi penal është regjistruar në korrik 2024, me faktet që kisha unë personalisht, me provat që kisha.
Kundër Flamur Nokës kam bërë një kallëzim penal, duke i futur edhe provat përkatëse, për korrupsion të lartë shtetëror, për shpërdorim të detyrës, për mos deklarim të të ardhurave dhe për pastrim të parave nga krimi. SPAK ia çova dosjen në maj, në korrik i thashë Dumanit, çfarë është bërë.
Dumani thotë, zoti Beqiri, iu informoj se SPAK ka regjistruar procedim penal. Ky procedim penal ndodhet në fazën e hetimeve paraprake. Ai do japë llogari për këto krime që ka bërë. Masa e dënimit shkon në 15 vite burg”, theksoi ai.