Hailey Bieber ka tërhequr gjithë vëmendjen me një paraqitje mjaft sensuale në fushatën më të fundit të produktit të saj të kujdesit për lëkurën, Mid Day Glaze, të markës “Rhode”.
Në një moment kur martesa e saj me Justin Bieber po përflitet për vështirësi të shumta, modelja 28-vjeçare zgjedh të flasë me qetësi – përmes stilit.
E veshur me një bluzë të shkurtë të bardhë dhe bikini të së njëjtës ngjyrë, Hailey pozoi në plazh me një version gjigant të produktit të saj të ri, duke theksuar figurën e saj të tonifikuar dhe lëkurën rrezëlluese, shkruan DailyMail.
Pamja u kompletua me flokët e mbledhura në një topuz dhe një grim minimalist, duke nxjerrë në pah freskinë e saj natyrale.
Fushata “mjegull pranë plazhit” erdhi pikërisht në një periudhë të ndjeshme për çiftin, pasi raportet për krizë në martesë janë bërë të zakonshme. Burime pranë çiftit kanë treguar se Justin po kalon një fazë të vështirë emocionale dhe se Hailey po përpiqet të ruajë qetësinë dhe të mbështesë familjen.
“Ka qenë një periudhë e vështirë për Justin-in”, tha një burim për Us Weekly. “Hailey po përpiqet me të gjitha forcat që ta ndihmojë atë të rikthehet në rrugën e duhur, sidomos për shkak të fëmijës që kanë bashkë”.
Pavarësisht tensioneve, çifti nuk ka diskutuar për ndarje. Miqtë e afërt thonë se ata janë të vendosur të qëndrojnë së bashku dhe se besimi i përbashkët është themeli i marrëdhënies së tyre.
“Ata e shohin veten si shpirtra binjakë dhe janë të përkushtuar ta bëjnë këtë martesë të funksionojë”, theksoi burimi.
Ndërkohë, fushata e re e Hailey-t është një tjetër dëshmi e aftësisë së saj për të balancuar biznesin dhe presionet personale – me shumë elegancë. Ajo vazhdon të jetë jo vetëm një figurë e modës, por edhe një nënë dhe partnere që nuk tërhiqet përballë sfidave.