Në korrik të vitit të kaluar, Prokuroria e Tiranës vendosi të veprojë për aferën e mikrokredive duke sekuestruar dy kompanitë në qendër të skandalit. Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Microcredit Albania dhe Final kaluan nën administrim të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara.
Por skandali i mikrokredive tashmë është shndërruar në kaosin e mikrokredive.
Dokumentat zyrtarë tregojnë se në më pak se 1 vit, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, ka ndryshuar 4 administratorë për secilën kompani. Sipas dokumentave, fillimisht Risena Xhaja emëroi si adminsitratore Dorina Janon. Një muaj më vonë zonja Jano u shkarkua duke u zëvendësuar nga Indrit Karaj. Ky i fundit, qendroi deri në janar në këtë detyrë duke u zëvendësuar me Nikolin Ballin. Ndërsa dy javë më parë edhe Nikolin Balli u shkarkua për t’ia lënë vendin Ismet Goranit.
Tashmë Ismet Gorani është administratori që administron të dy shoqëritë, si Final ashtu dhe MCA. Por fakti që çdo administrator qëndron më pak se 3 muaj në detyrë, ngre pikëpyetje të mëdha, se si po administrohen dy kompanitë në qendër të skandalit të mikrokredive nga shteti.
Agjencia e Pasurive të Sekuestruara është një institucion me kapacitete dhe staf modest. Por për shkak të rritjes së sekuestrove nga SPAK, tashmë kjo agjenci duhet të menaxhojë kompani inceneratorësh, kompani ndërtimi, kompani financiare e madje edhe protfol kriptomonedhash.
Në rastin e mikrokredive situata duket totalisht kaotike. Fillimisht Banka e Shqipërisë hodhi idenë që kreditë e MCA dhe Final të riktheheshin nga bankat që ishin dhënë. Por bankat nuk e pranuan duke deklaruar se këto ishin asete që ato i kishin shitur një herë.
Më tej Banka hodhi edhe idenë e caktimit të një likuidatori nga ajo që do të çonte të dy kompanitë në likujdim të kontrolluar. Por edhe ky variant u rrëzua dhe administratori iu besua agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.
Tashmë Agjencia është vet në situatë paligjshmëri. Kjo pasi si MCA ashtu dhe Final janë pa liçencë për të ushtruar aktivitet në mbledhjen e detyrimeve, pasi liçenca e tyre u hoq nga Banka e Shqipërisë. Por pavarësisht kësaj, Agjencia po mbledh kreditë e qytetarëve, në një kohë që shumë nga kreditë të dhëna nga MCA dhe Final nuk janë të regjistruara në regjistrin e kredive, ndërsa dosjet përmbarimore thjesht nuk ekzistojnë.
Teksa çështja e mikrokredive tashmë ka kaluar në SPAK, kaosi vazhdon dhe mijëra qytetarë të mashtruar nuk e dinë se si do të shkojë fati i tyre. Kjo pasi, qeveria nuk e pa të arsyeshme, që të gjente një zgjidhje ligjore, duke bërë nul të paktën kreditë e dhëna në mashtrim nga MCA dhe Final./kapital