Ballina Politika Noka sulmon SPAK-un: Albana Vokshit i thanë se do t’i rrëmbenin vajzën!...

Noka sulmon SPAK-un: Albana Vokshit i thanë se do t’i rrëmbenin vajzën! Instrument në dorën e Ramës

11
0

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Partia Demokratike ka ashpërsuar sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në një intervistë për Vizion Plus deklaroi së SPAK-u dështoi të luftonte krimin elektoral.

“Task Forca e krimit zgjedhor, e ngritur në janar 2025 me aq shumë bujë kishte vdekur atë ditë që u krijua”, tha Noka.

Sipas Nokës, PD ka denoncuar çdo element të procesit të 11 majit, nga vendimet e qeverisë, te përdorimi i burimeve shtetërore e deri te ndikimi i bandave kriminale në zgjedhje, por prokurorët e posaçëm nuk kanë reaguar.

“SKAP-i i partisë nuk guxon t’i hapë sytë e t’i shikojë megjithëse ne ia kemi çuar të gjitha sepse këto janë prova, VKM janë prova; ne i kemi çuar prova edhe për krimin por SKAP-i kthen përgjigje dhe kërkon që ne t’i çojmë edhe numrat e telefonit të banditëve”, deklaroi Noka.

Numri 2 i PD solli në vëmendje edhe përplasjen e tij në Vorë ditën e zgjedhjeve, si shembull për të mbështetur akuzat e tij se SPAK-u dështoi në 11 maj.

 “Zonja Vokshi u kërcënua me rrëmbimin e vajzës, pse kërkoi që banditët të dalin nga qendrat e votimit. Shkova dhe telefonova shefin e komisariatit, i cili ishte njësh me bandën dhe as nuk u duk që të ndërhynte. U telefonua edhe SKAP-i. Dhe për çudi 2 orë më pas, sekretari i përgjithshëm i PD procedohet penalisht nga policia e shtetit, ndërsa banditët jo”, tha Noka.

Për Partinë Demokratike, Task Forca e ngritur për zgjedhjeve dhe SPAK-u në 11 maj u përdorën nga partia në pushtet.

“SKAP-i është një instrument në duart e Edi Ramës për të tjetërsuar votën dhe në shërbim të farsës”, tha Noka. 

Dy ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka ishte në SPAK për të dhënë informacione për të gjitha kallzimet që PD ka bërë për zgjedhje, por opozita nuk pret asngjë nga këto hetime pasi rezultati dhe fitorja e PS tashmë është zyrtarizuar.