Ballina Politika SPAK nis zyrtarisht hetimet për kontratën e lobimit të PD në SHBA....

SPAK nis zyrtarisht hetimet për kontratën e lobimit të PD në SHBA. Kush është burimi i financimit?

0
10

Kontrata e lobimit në SHBA për llogari të Partisë Demokratike nga një fondacion amerikan është zyrtarisht nën hetim!

Mediat raportojnë detaje të komunikimit zyrtar mes Kryetarit të SPAK-ut, Altin Dumani dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, ku vërehet ndryshimi i gjendjes penale të çështjes së kontratës së lobimit.

Brenda një muaji, nga data 28 maj, kur ka qenë komunikimi i parë dhe deri në datën 25 qershor, kur ka shkuar letra e dytë e Altin Dumanit, ndryshimi është i dukshëm.

Në letrën e parë, ku kërkon kontratën e lobimit nga PD, zoti Dumani thotë se “Prokuroria e Posaçme po kryen verifikime në kuadër të materialit kallëzues 141.”, material që ajo e ka shpërndarë për mediat në 27 prill, menjëherë pasi lajmi u bë publik në media.

Ndërsa në letrën e dytë në 24 qershor, zoti Dumani shkruan se “Prokuroria po kryen veprime hetimore në kuadër të procedimit penal 143 dhe se objekti i hetimit është procedura e negocimit, lidhjes dhe financimit të kontratës”.

Është shumë e qartë se nga verifikim, tani çështja është nën hetim.

Pas letrës së dytë, Partia Demokratike ia ka vendosur në dispozicion SPAK-ut kontratën e lobimit, duke bërë të qartë se kjo nuk është një kontratë e Partisë Demokratike, por e një fondacioni amerikan dhe është firmosur me kompaninë lobuese amerikane nga shqiptaro-amerikani Nuredin Seci.

Kontrata është lidhur me Presidentin e kompanisë lobuse Continental Strategy LLC, Carlo Trujillo, ish-këshilltar i presidentit amerikan Trump. Në këtë kompani është e angazhuar edhe vajza e shefes së personelit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles.

SPAK nuk ka sqaruar publikisht çfarë të dhënash ka gjetur që nga verifikimi ka kaluar në hetim të kontratës së lobimit, por kjo është hera e dytë që një kontratë lobimi e PD hetohet nga SPAK.

E para ishte ajo që gjërësisjt u njoh si “lobimi me para ruse” i Lulzim Bashës, por që u mbyll pa ngritur ndonjë akuzë. Partia Demokratike beson se, njësoj si herën e parë, hetimi i kontratës së lobimit nga SPAK bëhet për llogari të Edi Ramës.

Noka i tha GazetaSi.al se SPAK, edhe pse kanë kaluar tre vjet, nuk ka asnjë veprim për hetimin e çështjes McGonigal dhe nuk e ka thirrur asnjëherë Edi Ramën.

“Tani janë trembur nga kontrata me avokatin e Presidentit Trump, sepse aferat me McGonigalin, bashkëpunimi me kartelet e drogës dhe kontrolli i drejtësisë janë çështje që tani dëgjohen në Kongres dhe në Shtëpinë e Bardhë”- tha Sekretari i Përgjithshëm i PD.

Flamur Noka tha për Gazetasi.al se kontrata e tanishme është plotësisht e ligjshme dhe se PD nuk paguan asnjë qindarkë për lobimin.

“Unë jam vënë zyrtarisht në dijeni nga zoti Seci për nismën e tyre për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe kam dhënë pëlqimin tonë për marrjen e këtij shërbimi, i cili do të financohet plotësisht nga fondacioni në SHBA”- u shpreh zoti Noka.

Ai sqaroi gjithashtu se të premten nuk ishte në SPAK për ketë çështje, por për krimet zgjedhore të denoncuar nga PD dhe për të cilat PD thotë se SPAK u bë palë me qeverinë, duke mos i hetuar ato.