Ballina Sport Al Hilal për mrekullinë, Inzaghi sfidon Pep, City kërkon të shkruaj historinë

Al Hilal për mrekullinë, Inzaghi sfidon Pep, City kërkon të shkruaj historinë

10
0

Inzaghi për mrekullinë, Guardiola për historinë. Me këto perspektiva do të përballen Al-Hilal dhe Manchester City në sfidën e vlefshme për 1/8-at e finales së Kupës së Botës për Klube. Pas sigurimit të vendit të dytë në grup në ndeshjen e fundit falë fitores ndaj Pachuca-s, Al-Hilal kërkon mrekullinë dhe synon kualifikimin në çerekfinale. Dominim total nga ana tjetër për Manchester City, që e mbylli grupin me 9 pikë duke shkatërruar 5-2 Juventusin në përballjen vendimtare të ditës së fundit.

Inzaghi kundër Guardiola-s, do të kërkojë revanshin. Përballja mes sauditëve dhe anglezëve i jep Simone Inzaghi-t mundësinë për të marrë revanshin pas humbjes në finalen e Champions League në vitin 2023 kundër “citizens”. Pavarësisht ndeshjes në fazën e grupeve të Champions-it sezonin e fundit (që përfundoi 0-0 në Etihad), ish-trajneri i Interit dëshiron të rikuperojë, sado pak, atë që humbi në fushën e Stambollit. Dhe, për të përmendur edhe një herë Interin, vëmendje te përballja e mundshme në çerekfinale: nëse Al-Hilal dhe zikaltrit (të cilët luajnë sonte në orën 21:00 kundër Fluminense-s) kualifikohen, do të përballeshin në çerekfinale në një sfidë tipike të “ish-it”. Simone Inzaghi do të përballej me të kaluarën e tij, vetëm pak ditë pas largimit nga Interi.

Duke u kthyer në të tashmen, sonte në Orlando, skuadra saudite është përpara një prove të vështirë. Në letër, favorit është padyshim Manchester City, por Al-Hilal në tre ndeshjet e grupit ka treguar se mund të vërë në vështirësi këdo – shembulli më i qartë është pjesa e parë kundër Real Madridit, e dominuar pothuajse totalisht. Nga ana tjetër, City paraqitet me një fytyrë të re dhe shumë lojtarë që duan të tregojnë vlerat e tyre. Mbi të gjithë Rodri, i sapokthyer nga një dëmtim në ligamentin e gjurit dhe që ka ndryshuar fytyrën e skuadrës. Me Reijnders dhe Bernardo Silva të lirë në fazën ofensive, City ka shumë armë për të sulmuar. Por vëmendje edhe ndaj aftësisë së Al-Hilal në kundërsulme, një markë e vërtetë e Simone Inzaghi-t dhe një koncept që ai e ka përdorur gjithmonë në mënyrë efikase në çdo skuadër që ka drejtuar. Premisat për një ndeshje të madhe janë të gjitha: vetëm fusha do të tregojë kush e meriton kalimin në çerekfinale.