Mbyllja u krye për të parandaluar mbinxehjen e lumit Garonne, nga i cili termocentrali merr ujë ftohës”, tha sot EDF-ja.
Kompania shtetërore franceze e energjisë, EDF ka mbyllur termocentralin e saj bërthamor “Golfech”, në jug të vendit në përgjigje të nxehtësisë ekstreme në zonë.
Për shkak të motit të mesit të verës, lumi Garonne pritej të arrinte një temperaturë prej 28 gradësh Celsius. EDF-ja nuk specifikoi se sa kohë do të mbetej impianti i mbyllur.
Vala e të nxehtit në Francë, me temperatura që arrijnë 40 gradë Celsius, pritet të vazhdojë deri në mesjavë.
Ndërkohë, termocentrali bërthamor ”Blayais” në Francën perëndimore po redukton prodhimin për të parandaluar mbinxehjen e grykëderdhjes së Gironde.
Termocentrali bërthamor ”Bugey” në jug, i cili merr ujë ftohës nga lumi Rhone, po shqyrtohej gjithashtu për mbyllje.
”Kufizimi ose mbyllja e centraleve bërthamore gjatë valëve të të nxehtit ka çuar në një ulje mesatare të prodhimit vjetor të energjisë elektrike prej 0,3 për qind që nga viti 2000”, theksoi kompania.