Koordinatorja e Posaçme dhe drejtuese e vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, Farah Karim gjatë fjalës së saj në Asamblenë e OSBE-së ka raportuar disa nga gjetjet më problematike në lidhje me zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. Karim u shpreh se disa kandidatë për deputet janë intimiduar gjatë fushatës. Ajo theksoi se partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative. Koordinatorja shtoi se gjatë fushatës pati një numër të madh akuzash për ushtrim presioni mbi votuesi.
“Kandidatët në përgjithësi patën mundësi të bënin fushatë lirisht. Megjithatë, ata nuk gëzonin kushte të barabarta dhe disa raportuan se u përballën me intimidim. Sa i përket fushatës, u vu re se partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës. Kjo krijoi një avantazh të padrejtë për partinë në pushtet. Po ashtu, pati një numër të madh akuzash për ushtrim presioni mbi votuesit, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike.
Përdorimi aktiv i rrjeteve sociale on-line nga kandidatët e ndryshëm e amplifikoi diskursin konfrontues, ndërsa asnjë autoritet nuk ishte i mandatuar për të zbuluar përmbajtje manipuluese dhe të dëmshme. Dita e zgjedhjeve në përgjithësi ishte e qetë dhe e organizuar mirë, por pati shpesh mospërputhje me procedurat, si dhe disa incidente të intimidimit dhe nxitjes së votuesve, si dhe mangësi procedurale dhe të transparencës gjatë numërimit të votave,” u shpreh Farah Karimi.
Në fund të raportit Karimi u shpreh se OSBE, në draftin final do të japë edhe një sërë rekomandimesh, të cilat duhet të zbatohen me patjetër, e për këtë do të jepet edhe ekspertiza e OSBE.