Ballina Bota Kanadaja heq dorë nga taksa për kompanitë amerikane të teknologjisë, rinisin bisedimet...

Kanadaja heq dorë nga taksa për kompanitë amerikane të teknologjisë, rinisin bisedimet tregtare me SHBA

10
0

Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi të dielën mbrëma se bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara kanë rinisur, pasi qeveria kanadeze vendosi të tërhiqet nga plani për vendosjen e një takse ndaj kompanive amerikane të teknologjisë.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar të premten se do të pezullonte bisedimet tregtare me Kanadanë, duke e cilësuar taksën e planifikuar si “një sulm të drejtpërdrejtë dhe të hapur ndaj vendit tonë”.

Qeveria kanadeze njoftoi se “në pritje të një marrëveshjeje tregtare” do të tërhiqte taksën e shërbimeve digjitale, e cila ishte planifikuar të hynte në fuqi ditën e hënë.

Carney dhe Trump zhvilluan një bisedë telefonike të dielën, gjatë së cilës, sipas zyrës së kryeministrit kanadez, të dy udhëheqësit ranë dakord për rifillimin e negociatave.

“Njoftimi i sotëm do të ndihmojë në rifillimin e negociatave drejt afatit të përcaktuar më 21 korrik 2025, sipas marrëveshjes së arritur në Samitin e Liderëve të G7 në Kananaskis,” deklaroi Carney.

Kujtojmë se Carney e vizitoi Trump në Shtëpinë e Bardhë në maj, ku mbajti një qëndrim diplomatik por të vendosur. Presidenti Trump ishte pjesëmarrës në samitin e G7-ës në provincën kanadeze Alberta, ku të dy palët vendosën një afat 30-ditor për arritjen e një marrëveshjeje tregtare.