FIFA po shqyrton mundësinë që edicioni i ardhshëm i FIFA Club World Cup të zhvillohet gjatë dimrit, një ndryshim që mund të shkaktojë trazira në kalendarin e kampionateve europiane.
Katari, vendi që organizoi Kupën e Botës në 2022, ka shprehur interesin për të qenë nikoqiri i radhës së këtij turneu të zgjeruar, pas edicionit të parë këtë verë në Shtetet e Bashkuara.
Për shkak të temperaturave ekstreme gjatë verës në Katar, turneu duhet të mbahet në dhjetor, siç ndodhi edhe me Kupën e Botës në 2022.
Sipas raportimeve të The Guardian, përfaqësues të Katarit kanë zhvilluar bisedime me zyrtarët më të lartë të FIFA-s në SHBA për një mundësi ndryshimi të vendit të organizimit. Katar synon të organizojë këtë turne në dhjetor të vitit 2029.
Ky plan po ndeshet me kundërshtime të forta nga ligat evropiane, përfshirë Premier League, të cilat paralajmërojnë për ndërprerje të rëndësishme në sezonet e tyre të brendshme.
Në 2022, zhvendosja e Kupës së Botës në dimër kishte detyruar ndalimin e kampionateve për më shumë se një muaj, një përvojë që ligat dëshirojnë ta shmangin.
Megjithatë, Katar ofron një ofertë të fortë duke pretenduar se mund të organizojë një Club World Cup me zero emetime karboni. Stadiumet e ndërtuara për Kupën e Botës janë ende të gatshme, gjë që do të ulë kostot dhe do të minimizojë udhëtimet për tifozët.
Lojtarët janë ankuar për kushtet e motit gjatë turneut të fundit, me disa ndeshje të pezulluara për shkak të bubullimave dhe stuhive të verës në SHBA, përfshirë edhe ndeshjen Chelsea-Benfica që u ndërpre për dy orë.
Sindikatat e lojtarëve, si FifPro, kanë shprehur shqetësime për sigurinë dhe mirëqenien e sportistëve, ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se situata e motit pritet të jetë sfiduese edhe në Kupën e Botës 2026 që zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, transmeton tch.
Ndërkohë, pritet që edhe Kupa e Botës 2034 në Arabinë Saudite të zhvendoset në dimër për shkak të kushteve klimatike.