Ballina Politika Një vajzë e re mori 92 vota në një burg’, Mediu ankohet...

Një vajzë e re mori 92 vota në një burg’, Mediu ankohet për 11 majin në Portugali: Ndikim i krimit të organizuar

12
0

Deputeti Fatmir Mediu, i pranishëm në Asamblenë parlamentare të OSCE-së në Porto të Portugalisë, foli për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, duke i cilësuar si një proces jo i lirë dhe i ndershëm. Sipas tij, administrata është shkrirë me PS dhe ka funksionuar si një makineri elektorale në favor të saj, dhe se nga krimi janë zgjedhur emra të panjohur.

Si “provë” për këtë ai tha se një vajzë e re mori 92 vota në një burg.

“Do përmend një shembull: një vajzë e re, 25 vjeçe, mori 92 vota në një burg me 112 të burgosur. Kjo është një provë e qartë e ndikimit të krimit të organizuar, dhe ky ndikim shtrihet edhe në zona të tjera.”, tha Mediu.

Mediu thotë se vendi po shkon në autokraci për shkak se nuk ka më një sistem parlamentar dhe se nuk zhvillon zgjedhje të lira e të ndershme. Si problematikë përmendi edhe drejtësinë, pasi sipas tij, po përdoret nga qeveria si armë politike për të goditur opozitën.

“Një tjetër problem serioz në Shqipëri është drejtësia. Të gjithë flasin për drejtësi të pavarur – dhe ne jemi pro drejtësisë së pavarur – por përdorimi i saj si armë politike kundër opozitës, arrestimet, ndjekjet penale dhe përpjekja për të futur të gjithë liderët e opozitës në gjykatë para zgjedhjeve nuk më bind që Shqipëria është ndryshe nga Gjeorgjia. Dhe këtu po flasim për një vend anëtar të NATO-s, një vend me perspektivë drejt BE-së. Por duket se nuk i përmbushim as standardet minimale të NATO-s, as ato të BE-së.”, tha Mediu.