Fisi i lumturisë ekstreme
Në thellësi të xhunglës braziliane, buzë lumit Maici, jeton një nga fiset më të mistershme dhe më të lumtura në botë – Piraha. Për ta, koha është vetëm një fjalë boshe: nuk njohin të shkuarën, nuk planifikojnë të ardhmen dhe nuk kanë asnjë dëshirë për të ndryshuar. Thelbi i kulturës së tyre mund të përmblidhet në një fjali të vetme: “Jetoj këtu dhe tani”
Në gjuhën e tyre ekziston vetëm koha e tashme. Ata nuk kanë numra, nuk kanë fjalë për të majtën dhe të djathtën, nuk kanë mite, legjenda apo përralla. Kur pyeten për historinë e fisit, përgjigjen thjesht: “Gjithçka është njësoj, gjërat janë gjithmonë.”
Flejnë vetëm pak dhe nuk grumbullojnë asgjë
Piraha besojnë se gjumi i gjatë është i rrezikshëm. Ata flenë vetëm nga 30 minuta deri në 2 orë në natë, sepse besojnë se nëse fle gjatë, mund të zgjohesh një person tjetër. Për më tepër, vendi ku jetojnë është plot me gjarpërinj, prandaj të qëndrosh zgjuar është edhe një formë mbrojtjeje.
Ata nuk mbajnë rezerva ushqimi. Çdo gjë që gjuajnë, e hanë menjëherë. Nuk kultivojnë tokën, nuk kanë magazina. Sipas tyre, universi kujdeset për gjithçka që u nevojitet.
Asnjë fjalë për fajin, turpin dhe Zotin
Piraha nuk e njohin konceptin e fajit apo turpit. Një burrë mund ta lërë gruan sepse ajo nuk është më e re, dhe gruaja nuk zemërohet: thjesht thotë “Ndodhi sepse ndodhi” dhe gjen një partner të ri. Ata nuk kanë fe, nuk adhurojnë asnjë perëndi dhe nuk kanë nevojë për shpjegime hyjnore. Përpjekjet e misionarëve për t’i konvertuar kanë dështuar krejtësisht. Madje, disa prej tyre u kthyen të “konvertuar” vetë nga Piraha, të bindur se nuk kishte asgjë për t’u mësuar këtyre njerëzve që nuk njohin stresin.
Një gjuhë që sfidon shkencën
Gjuha Piraha është unikale. Ata nuk kanë numra, nuk dallojnë plotësisht ngjyrat (vetëm të ndritshme dhe të errëta) dhe shpesh komunikojnë me fishkëllima. Shumë studiues e quajnë një nga gjuhët më të vështira për t’u kuptuar, sepse përjashton konceptet themelore mbi të cilat bazohet logjika moderne.
Pa lider, pa shefa – vetëm të barabartë
Në fisin Piraha nuk ka hierarki. Nuk ka udhëheqës, nuk ka ligje, nuk ka rregulla të shkruara. Të gjithë janë të barabartë dhe vendimet merren bashkërisht. Kjo barazi ekstreme është themeli i lumturisë së tyre.
Ndryshojnë emrin çdo gjashtë deri në tetë vjet
Piraha nuk e kuptojnë plakjen. Besojnë se kalojnë nga një trup në tjetrin. Për këtë arsye, çdo 6 deri në 8 vjet, ndryshojnë emrin, duke i dhënë vetes një emër që tregon moshën, në mënyrë që edhe pa e parë, mund të dish nëse dikush është fëmijë apo prind.
Mësimi që na japin
Për botën moderne të mbushur me stres, ambicie dhe grumbullime të panevojshme, Piraha mbeten një kujtesë e gjallë se lumturia nuk vjen nga ajo që kemi, por nga ajo që nuk kemi: frikë nga e ardhmja, barrë nga e kaluara dhe varësi nga gjërat materiale. Ata jetojnë me një filozofi të vetme: “Gjithçka është njësoj, gjërat janë gjithmonë.”