Adriana Kalaja ka ripublikuar një postim të tre viteve më parë, ndërsa Partia Demokratike ishte në kulmin e përplasjeve. Në mesazhin e saj të ashpër, Kalaja kritikon ashpër disa figura të njohura të kësaj force politike, të cilët sipas saj, kanë tradhtuar idealet demokratike dhe kanë bashkëpunuar me qeverinë socialiste të Edi Ramës.
Në postimin e ripublikuar, ajo ndan edhe foto të Gazment Bardhit dhe Ervin Salianjit, duke i akuzuar se janë “plehra që i shërbejnë regjimit të Edvin Ramës” dhe se nuk përfaqësojnë vullnetin e demokratëve të thjeshtë.
“Jam pro bashkimit, por jo me plehrat, shërbëtorë të regjimit të Edvin Ramës. Këta që janë bashkë me Edvin Ramën dhe kundra demokratëve, besoni se do ngrenë zërin për të drejtat e atyre që u dhanë mandatin?”, shkruan Kalaja në statusin e saj.
Ajo përmend gjithashtu edhe datën 8 janar, një ditë simbol për shumë demokratë, e lidhur me përplasjen fizike dhe politike në selinë e PD-së, duke e rikujtuar si një moment që nuk duhet harruar nga demokratët.
Postimi i Kalajas vjen në një kohë kur debati për bashkimin e PD-së është rikthyer në qendër të vëmendjes, dhe tensionet mes fraksioneve brenda partisë vazhdojnë të jenë të pranishme.
“Jam pro bashkimit por jo me plehrat shërbëtorë të regjimit të Edvin Ramës.
Këta që janë bashkë me Edvin Ramën dhe kundra demokratëve, besoni se do ngrenë zërin për të drejtat e atyre që i dhanë mandatin?
Demokratë, nuk harrohet 8 janari”, shkruante ajo në postimin që e ka ripublikuar.