Është e vështirë të imagjinohet se vetëm 40,000 vjet më parë, në Tokë jetonte një tjetër specie njerëzore. Njerëzit modernë dhe neandertalët bashkëjetuan për një kohë, u përzien gjenetikisht, jetuan në të njëjtat shpella, gjuanin në mënyra të ngjashme dhe të dy ndërtuan vegla.
Më pas, neandertalët u zhdukën. Studiuesit ende nuk janë plotësisht të sigurt pse ndodhi kjo, megjithëse sëmundjet, konkurrenca apo faktorë të tjerë mund të kenë luajtur rol. Në fund, vetëm një grup mbijetoi. Por çfarë do të ndodhte nëse neandertalët do të kishin mbijetuar dhe do të jetonin bashkë me homo sapiensët, ose edhe të vetëm?
Nuk është e mundur të dimë me siguri, por studiuesit kanë disa të dhëna. Antropologu britanik Chris Stringer thotë se ndonëse është shumë spekulative të thuhet se çfarë do të kishte ndodhur nëse të dy speciet do të kishin mbijetuar, “nëse neandertalët do të kishin mbijetuar në vend të nesh, nuk kishte ndonjë arsye pse ata të mos arrinin përfundimisht të gjitha arritjet tona.”
Arkeologu francez Ludovic Slimak ka një pikëpamje shumë ndryshe. Sipas tij, neandertalët ndoshta do të kishin ruajtur traditat e tyre përgjatë gjithë ekzistencës së tyre, pa ndryshime të mëdha. Ata ekzistuan për rreth 360,000 vjet dhe gjatë shumicës së kohës vepruan në mënyrë shumë të qëndrueshme.
Ndërkohë, njerëzit modernë janë ndryshe. Për ne, fantashkenca imagjinon jetën moderne përpara se ajo të bëhet realitet.
“Ne tregojmë këto histori dhe më pas i bëjmë të mundura në jetën reale,” thotë Slimak.
Njerëzit ëndërronin për qindra vjet të udhëtonin në Hënë, përpara se ta realizonin këtë. E njëjta gjë po ndodh me Marsin.
“Ne po ndërtojmë një jetë që duket gjithnjë e më shumë si historitë tona,” shton ai.
Ndryshe nga njerëzit, të cilët janë ekspertë të optimizimit dhe gjithmonë kërkojnë të përmirësojnë efikasitetin, neandertalët nuk kishin të njëjtën imagjinatë. Si rrjedhojë, revolucioni industrial nuk do të kishte ndodhur me ta.
“Ata nuk do ta kishin përqafuar revolucionin industrial, i cili në thelb është standardizimi absolut i gjithçkaje,” thotë Slimak. “Është ajo që ne, njerëzit modernë, bëjmë më së miri.”
Neandertalët, përkundrazi, do të kishin vazhduar mënyrën e tyre të jetesës dhe do të kishin jetuar të izoluar nga njerëzit modernë. Kjo dihet edhe nga kërkimet për Thorin-in, një nga neandertalët e fundit të zbuluar nga ekipi i Slimak në Francë, që tregonin se ata rrallë e ndanin informacionin e ri me grupe të tjera.
Pikërisht kjo përhapje informacioni është ajo që na bëri neve modernë: mësimi dhe më pas ndarja e dijes me grupe të tjera. Ishte standardizim, por pa teknologji moderne të komunikimit.
Edhe pse ndoshta fillimisht do të ishin përzier gjenetikisht me njerëzit modernë, Slimak beson se më vonë kjo do të ndalonte, sepse një prind neandertal do ta kishte të vështirë të kuptonte fëmijën e tij modern. Ne do të ngjanim për pak kohë, dhe më pas do të kishim marrë rrugë të ndryshme në jetë.
Sipas Slimak, me ose pa njerëzit modernë, fati i neandertalëve do të kishte qenë pothuajse i njëjtë. Nëse do të ishin përhapur nëpër botë vetëm ata, popullsia në Tokë do të kishte qenë e ngjashme, por bota nuk do të ishte transformuar siç është nën ndikimin e njerëzve modernë.
Shoqëritë mund të ishin formuar, por do të kishin evoluar ndryshe, pa shfrytëzuar aq shumë burimet e Tokës. Ndonëse efikasiteti i njeriut modern ka sjellë përparime të mëdha, ai gjithashtu ka shkaktuar dëme të pakthyeshme në mjedis.
Frika më e madhe është se kjo nevojë e pashtershme për standardizim mund të na çojë në vetëshkatërrim. Sepse për ne asgjë nuk është “mjaft e mirë”, dhe ne nuk i rezistojmë tundimit për të përdorur çdo burim të mundshëm, pavarësisht dëmit që i bëjmë së ardhmes tonë. Ndoshta një ditë, do ta përdorim këtë dije për të mbrojtur vetveten dhe të gjitha qeniet e gjalla në Tokë. /syri