Ballina Rajoni Vuçiç reagon për trazirat në Serbi, fajëson mediat dhe citon Putinin

Vuçiç reagon për trazirat në Serbi, fajëson mediat dhe citon Putinin

8
0

Derisa e gjithë Serbia është ngritur në këmbë për shkak të protestave dhe trazirave që kanë përfshirë vendin, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot nga Sevilla se shteti ka ndërmarrë masat e nevojshme për t’u përballur me situatën.

“Kur është fjala për barrikadat apo veprimet terroriste në Serbi, shteti e ka bërë punën e vet dhe do ta bëjë çdo ditë”, tha Vuçiq, duke theksuar se gjatë natës së kaluar janë ndaluar 26 persona dhe janë legjitimuar 136 të tjerë.

Ai vlerësoi se policia ka vepruar me profesionalizëm dhe me përdorim minimal të forcës, ndërsa zona më problematike sipas tij ishte Autokomanda, ku “ka pasur më së shumti huliganë dhe rrahës me maska në fytyrë”.

“Krejt çfarë po bëjnë është krim kundër shtetit të vet, shumë më i rëndë sesa vepra penale për të cilat do të përgjigjen”, theksoi Vuçiq.

Ai mohoi akuzat se policia ka ushtruar dhunë dhe i cilësoi ato si “gënjeshtra, dhunë dhe absurditete”. Sipas tij, shteti ka mjaft fuqi për të siguruar rendin dhe qetësinë publike.

“E kuptoj që njerëzit janë frikësuar, që kanë ndjerë frikë nga këta huliganë që mendojnë se mund ta shkatërrojnë jetën e të tjerëve. Por kjo është shenjë e dëshpërimit dhe mllefit. Unë si i ri kam shkuar në ndeshje futbolli, por pas ndeshjes përleshja kërkohej nga ai që kishte humbur. Kështu është edhe tani”, deklaroi ai.

Presidenti serb tha se policia është nën presion të madh dhe se po bën gjithçka për të qartësuar qytetarëve se dhuna dhe vandalizmi nuk janë rruga e duhur.

“Po i bëjnë vetes një shërbim të keq. 26 janë arrestuar, 136 janë legjitimuar. Po i shkaktojnë vetes probleme serioze. Për kë? Për kë i bëjnë këto gjëra?”, u shpreh Vuçiq, duke i drejtuar gishtin organizatorëve politikë që, sipas tij, nuk përballen vetë me pasojat, por “dërgojnë fëmijët e të tjerëve”.

Ai hodhi poshtë protestat si një mënyrë për të ardhur në pushtet, duke thënë se: “Pushteti në Serbi fitohet në zgjedhje, kur organet kompetente i shpallin ato, e jo kur një bandë huliganësh e kërkon këtë”.

Vuçiq gjithashtu i cilësoi raportimet e mediave Nova S dhe N1 si “terrorizëm i pastër” dhe tha se pret reagimin e Prokurorisë.

Nga Sevilla, ku po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për financimin e zhvillimit, Vuçiq njoftoi se do të kthehet menjëherë në Serbi për të “shijuar vendosjen e rendit” dhe shtoi se “nuk po ikën askund”.

I pyetur për reagimet e Rusisë ndaj protestave në Serbi, ai tha se edhe presidenti Vladimir Putin, edhe ministri i Jashtëm Sergej Lavrov, e kanë quajtur këtë një “përpjekje për revolucion të ngjyrosur”.