Ballina Kulturë Sot një vit prej ndarjes nga jeta të kolosit të letrave shqipe,...

Sot një vit prej ndarjes nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare

0
7

Një vit më parë (1 korrik 2024) u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare.

Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndrronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës. Ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa.

Etnograf sarkastik, romancier duke alternuar groteskun dhe epikën, IsmaIl Kadare eksploroi mitet dhe historinë e vendit të tij, për të zbërthyer mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit.

Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Në moshën 11 vjeçare lexoi Tragjedinë “Makbeth’ të Shekspirit dhe i ndryshoi jetën, megjithëse në atë moshë nuk kuptonte gjithçka. E donte kaq shumë sa filloi ta kopjonte në dorë. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960)

Në vitin 1963 botoi romanin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Libri u përkthye në 33 gjuhë të botës dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare.U vlerësua nga gazeta e njohur e Parisit Le Monde si një ndër 100 librat e shekullit XX.

Më pas erdhi romani “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës. Një tjetër roman i vlerësuar ishte “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërprera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë.

Përpara se në Shqipëri të vendosej pluralizmi politik, pas protestave të studentëve në dhjetor 1990, Kadare udhëtoi me avion drejt Francës, ku kërkoi azil politik. Ai jetoi në Paris, u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike, ndërsa vitet e fundit u vendos në Tiranë. Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar u bë anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës.

U vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.Shpesh emri i tij u përfol për si një ndër konkurentët për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë por nuk e fitoi.

Në vitin 2005 fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Man Booker Prize” ndërkohë ishte kandidat pretendent edhe për vitin 2024 me librin “Kur sunduesit grinden” i cili u vlerësua si një “meditim letrar magjepsës mbi Rusinë Sovjetike, autoritarizmin, strukturat e pushtetit në një periudhë shkrimtarësh të mëdhenj”.

Në 20 tetor 2009 Ismail Kadare u bë i pari shkrimtar shqiptar që fiton çmimin “Princi i Asturias për Letërsinë”. Në 2019 fitoi çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Neustadt, që njihet edhe si Nobeli Amerikan, ndërsa vitin e kaluar  (17 tetor 2023) shkrimtarit të madh shqiptar  iu dha titulli i Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, nga Presidenti francez Emmanuel Macron.