Ballina Ekonomia KKT miratoi për këtë vit 127 stacione plazhi për privatët, sa po...

KKT miratoi për këtë vit 127 stacione plazhi për privatët, sa po shiten shezlonet

17
0

Teksa sezoni veror ka hyrë në pikun e tij me muajt korrik dhe gusht që kanë fluksin më të lartë të pushuesve në bregdet, janë të paktën 127 subjekte në gjithë vijën bregdetare nga Shkodra në Sarandë të cilët kanë fituar të drejtën për stacione plazhi.

Këto janë subjekte të cilët parimisht ofrojnë akomodim dhe që nga aplikimet që kanë bërë në sistem kanë fituar të drejtën për të shfrytëzuar edhe plazhin. Së fundmi u zbardhën edhe lejet e dhëna për shfrytëzimin e plazheve të dhëna nga Këshilli Kombëtar i Territorit ku përveç bashkive që kanë vijë bregdetare përfshihet në listë edhe Pogradeci për shfrytëzimin që i bëhet bregut të Liqenit të Ohrit.

Gjatë vitit të shkuar për shkak të problemeve të shfaqura me dendësinë e shezloneve dhe çmimeve që aplikoheshin në disa rajone nga ana përfaqësuesve të qeverisë u premtua se situata do të ndryshonte me aplikimet për shfrytëzimin e bregut gjatë verës 2025.

Në fakt këtë vit ka një prezencë më të madhe të plazheve publike teksa në zonat ranore me breg të gjerë është kërkuar që subjektet të lënë të lirë hapësira 7-8 metra nga vija e bregut kurse në ato më në Jug 2.5-3 metra që mund të shfrytëzohen nga publiku.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro gjatë inspektimeve të zhvilluara javëve të fundit në Bashkitë që kanë vijë bregdetare është shprehur se diferenca në favor të plazheve publike pritet të jetë edhe më e madhe vitin tjetër. Kjo sipas saj do të vijë si efekt i përfundimit të kontratave 5 vjeçare me disa subjekte që janë lidhur në vitin 2021 dhe vijojnë ende.

Disa Bashki kanë zgjidhur këtë vit menaxhimin e plazheve të vetme duke krijuar ndërmarrje siç është Lezha ndërkohë që edhe Shkodra ka ndjekur një model të sajin . Ndryshe nga vitet e tjera çmimet e shezloneve nuk janë bërë ende pjesë “virale” e komenteve në rrjete sociale me përjashtim të Ksamilit ku sërish janë të huajt që shprehin habi nga çmimet 20-30 euro për dy shezlone dhe një çadër.

Përgjithësisht në bregdetin e Durrësit dhe të Vlorës çmimet e shezloneve në fundjave kanë qenë në një mesatare prej 1000 lekësh me një ulje gjatë javës (kryesisht gjatë qershorit). Në pjesën më veriore të bregdetit çmimet janë shfaqur edhe më ekonomike me një mesatare 500 leke deri 1000 lekë./ Monitor