Ballina Aktualitet Vajza e Trump ndan kujtimet e qershorit, në foto edhe Shqipëria

Vajza e Trump ndan kujtimet e qershorit, në foto edhe Shqipëria

0
23

Ivanka Trump, vajza e Presidentit amerikan Donald Trump, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga udhëtimi i fundit familjar, ku një ndër destinacionet e vizituara ishte edhe Shqipëria.

Ajo është shfaqur në foto së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, dhe fëmijët e tyre, duke shijuar një drekë pranë bregdetit shqiptar, me pamje piktoreske nga ishulli i Sazanit dhe perëndimi në sfond.

Ishulli i Sazanit pritet të kthehet në një destinacion luksoz, pasi Kushner, me statusin e investitorit strategjik që nga janari, planifikon ndërtimin e një resorti turistik me vlerë 1.4 miliardë dollarë. Projekti do të realizohet në bashkëpunim me shtetin shqiptar, i cili tashmë ka ndërmarrë hapat e para për të qenë pjesë zyrtare e investimit.

Në këtë kuadër, qeveria shqiptare ka themeluar një shoqëri aksionare me emrin “Albanian State Development & Real Estate”, e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit nga Korporata e Investimeve Shqiptare.

Sipas dokumentacionit të themelimit, kjo shoqëri do të përfaqësojë shtetin në partneritete strategjike, përfshirë projektin e resortit në ishullin e Sazanit, si dhe në çdo projekt tjetër që do të autorizohet në të ardhmen nga korporata.