Ballina Ekonomia Inflacioni i ulët dhe kursi shqetëson Bankën e Shqipërisë

Inflacioni i ulët dhe kursi shqetëson Bankën e Shqipërisë

12
0

Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhyjë në treg duke ulur koston e parasë në përpjekje për të nxjerrë ekonominë nga cikli i inflacionit të ulët. Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje duke zbritur në 2.5 për qind.

“Përtej luhatjeve afatshkurtra, inflacioni vijon të qëndrojë poshtë objektivit tonë, si pasojë e presioneve të dobëta nga mjedisi i jashtëm. Rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, mbiçmimi i kursit të këmbimit, si dhe goditjet e përsëritura nga ana e ofertës, janë pasqyruar në norma të ulëta historike të inflacionit të importuar dhe të inflacionit të artikujve ushqimorë. Nga ana tjetër, presionet nga mjedisi i brendshëm shfaqen të qëndrueshme dhe mbeten në linjë me objektivin, si rezultat i një ekuilibri më të mirë mes kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime,” deklaroi guvernatori Gent Sejko.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në 12 muajt e fundit, inflacioni mesatar rezultoi 2.1 për qind. Kjo është gati 1 pikë e plotë përqindje larg objektivit të Bankës së Shqipërisë, e cila dëshiron që inflacioni të jetë 3 për qind. Ky inflacion i ulët për një kohë të gjatë krijon një tjetër risk, atë të uljes së pritshmërive të agjentëve ekonomike dhe ankorimit të tyre drejt niveleve të ulëta të inflacionit. Ndaj BSH kërkon që ta thyejë këtë cikël.

“Qëndrueshmëria në nivele të ulëta e inflacionit të huaj dhe të atij jobazë, vijojnë të gjenerojnë nivele më të ulëta inflacioni në raport me pritjet tona dhe paraqesin rreziqe të kahut të poshtëm në afatin e shkurtër,” tha Sejko.

Përtej inflacionit, ulja e normës bazë ka dhe një tjetër qëllim. Ata të përmbajë sa të mundet forcimin e mëtejshëm të lekut ndaj euros. Banka Qendrore Europiane ka ndërhyrë disa herë duke ulur normën bazë muajt e fundit. Kjo krijon premisa për dobësim të mëtejshëm të euros ndaj lekut, si dhe zgjeron hendekun e politikës monetare mes BQE-së dhe BSH.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo vendimmarrje krijon kushte monetare më të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit, në objektiv. Ajo rikonfirmon angazhimin tonë për kthimin e inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër, si dhe krijon kushte më akomoduese monetare për rritjen e kreditimit dhe stabilitetin e kursit të këmbimit,” deklaroi Sejko.