Prof. Ass. Dr. Enver Isufi*
Unë që po ju shkruaj këto rradhë falë trajnimeve të bëra shumë vite më parë dhe projekteve që investuan, kam instaluar stacionet e para elektronike të motit për qëllimin e modernizimit të vendimarrjes në mbrojtjen e bimëve.
Stacionin e parë e kemi instaluar në vitin 2000, në Institutin e Mbrojtjes së Bimëve, Durrës, ku unë punoja atëherë në Sektorin e Prognozë-Sinjalizimit për Sëmundjet dhe Dëmtuesit kryesorë të bimëve, financuar nga një projekt i qeverisë Hollandeze. Stacionin e dytë i kam instaluar në kodrat e Shën -Vlash, Durrës i përdorur nga Instituti i Bujqësisë Biologjike në Shkozet, ku unë punoja dhe i financuar nga qeveria Zvicerane.
Pas këtyre intstaluam dy stacione në Korçë në vitit 2012. Në Xarë të Sarandës u instalua në vitin 2015, në shkollën e mesme bujqësore “Ndre Mjeda”, Bushat,Shkodër (2019),dhe në Vlorë (afër Orikumit), në vitin 2022.
Ndërkohë GiZ financoi (2022),instalimin e një tjetër stacion në Shamoll, Korcë për të modernizuar mbrojtjen e mollës nga sëmundja e kromës dhe nga dëmtuesi krimbi i mollës. Programi që u zbatua ishte ai i përdorur vite më parë, i quajtur “RIMPRO”. Të tjerë stacione janë insta- luar në zonat e tjera me financime të FAO-s
Këto stacione me praninë e tyre ndikuan te zonat për- katëse për të krijuar një farë kulture profesionale në këtë fushë, por vetëm fare pak stacione u përdorën për qël-
lime praktike dhe shumica gati u braktisën, duke mos justifikuar investimet e bëra për to.
Cilat janë gabimet që janë bërë këto vite me këto stacione elektronike të motit dhe rreziku që këto gabime të përsëriten edhe tani?
Rreziku buron te një edukatë e jona gati epërgjithëshme, që shumë punë që nisim, nuk i çojmë deri në fund dhe kështu nuk marrim rezultatet e investimeve.
SË PARI: Nuk jemi të përgaditur shpirtërisht që këto inovacione t’i përdorim në praktikën e punës sonë, por mjaftohemi vetëm me lajmin që stacionet u instaluan. Nuk kemi objektiva të qarta se në cilën bimë do t’i zbatojmë, me cilën praktikë bujqësore do ta fillojmë, me cilën sëmundje apo dëmtues do të fillojmë të përdorim stacionet elektronike me programet përkatëse, p.sh. për prognozimin e sëmundjes kryesore në mollë siç është kroma së mollës, apo për moderrnizimin e sistemit të plehërimit, ose për modernizimin e sistemit të ujitjes dhe përdorimin profesional të burimeve ujore. Mungesa e ob- jektivave të tilla me strategjinë e të ecurit sipas parimit “step by step”, na çon në çorientimin e punëve dhe në fund nuk finalizojmë asnjë objektiv, na ikën koha pa fiksuar asnjë përvojë për ta përgjithësuar.
SË DYTI: Nuk caktojmë përsonelin përkatës për çdo stacion të instaluar dhe nuk i trajnojmë specialistët për të përdorur zbatimin e programeve të ndryshme kompjuterike për aspekte të teknologjive inovative.
SË TRETI: Nuk parashikojmë buxhet për personelin dhe për mirëmbajtjen e stacioneve në raste defektesh.
SË KATËRTI: Vëmë re se shumica e përdoruesve nuk e kuptojnë që stacioni elektronik i motit nuk i zgjidh të gjitha punët, ajo është vetëm njëri kusht për përsosjen e teknologjive.
Ana tjetër e domosdoshme janë blerja e programeve për aspekte të veçanta të teknologjisë së rritjes së bimëve dhe përvetësimi i tyre për qëllime interpretimi në përdorimin praktik.
Në një farë mënyre stacioni i motit është si një manjetofon regjistrues zëri, ndërsa programet janë CD-të ose kasetat e këngëve që i vendosim manjetofonit. Çfarë kënge t’i vendosësh menjetofonit, atë melodi do të dëgjosh.
Pra na duhet një kombinim i personave që do të përdorin programin e elementëve të klimës të stacion- it të motit, që këtë më mirë e bëjnë ekspertët e IT-së (Teknikës Informacioni) dhe eksperti agronom, i cili përzgjedh programet dhe i interpreton ato për të formuluar mesazhe për fermerët.
Një shembull tjetër për të kuptuar këtë bashkëpunim është rasti i një grafie ose skanimi që bën eksperti i ra- diografisë një këmbe ose dore të thyer aksidentalisht dhe mjekut që do të lexojë filmin e grafisë.
Pra ky lloj kombinimi duhet të ndodhë edhe në përdorimin e stacioneve të motit dhe programeve të teknologjive inovatore. Shkurt zotërimi i programit kompjuterik duhet të lidhet me interpretimet agronomike sipas rastit ku përdoret programi (mbrojtje bimëve, ulitje, plehërim etj.).
Defektet tona të deritanishme kanë qenë se stacionet e deritanishme të instaluar nuk e kanë pasur këtë ndër- thurje të ekspertizës.
Më mirë deri më sot ka shërbyer stacioni eletronik i motit në Korçë, i cili menaxhohet kohët e fundit nga Universiteti Bujqësor i Korcës me ekspert zotin Aurel Grabocka.
Pra si përfundim në këtë moment unë si specialist që kam një përvojë modeste në këtë fushë, ndihem i gëzuar kur shikoj se numri i stacioneve elektronike të motit po shtohen me shpejtësi, por po përjetoj edhe frikën se punët nuk do të shkojnë deri në fund.
Më mirë më pak stacione të instaluara, por të fuksionojnë për qëllime praktike, se sa instalimi i disa stacioneve elekronik të motit, thjeshtë për “të elektrizuar” opinionin se po ecim drejt dixhitalizimit të bujqësisë.
*Agronom në Mbrojtjen e Bimëve dhe Bujqësinë Biologjike