Ballina Aktualitet SPAK i përgjigjet kallëzimit të avokates/ Regjistrohet procedim penal për gjyqtaren, Irena...

SPAK i përgjigjet kallëzimit të avokates/ Regjistrohet procedim penal për gjyqtaren, Irena Gjoka

8
0

Pas zvarritjes së procedurave për një kohë të gjatë, dhe vetëm pasi Irena Gjoka u sigurua që dosja “Partizani” në ngarkim të liderit të opozitës Sali Berisha të kalonte për gjykim, SPAK më në fund regjistron procedim penal ndaj gjyqtares së GJKKO-së, e cila figuron e dënuar në Greqi me 3 muaj burg dhe 1500 euro gjobë, dënim të cilin e ka fshehur në veting duke mos e deklaruar. SPAK i është përgjigjur avokates Adriana Kalaja, e cila bëri kallëzimin, se e ka regjistruar procedimin penal më 5 qershor të këtij viti, për veprën penale falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve.

Skandali për Irena Gjokën u denoncua nga kreu i PD-së Sali Berisha në dyert e SPAK, i cili publikoi dokumentin autentik të Gjykatës së Janinës, teksa gjyqtarja Irena Gjoka, Maneku Shpata, e mohoi në mënyrë kategorike një fakt të tillë. Ky fakt i rëndë penal nuk është evidentuar gjatë rivlerësimit kalimtar në vetingun e Irena Gjokës, një situatë që për kallëzuesen është një keq-menaxhim i sistemit të drejtësisë dhe një pasqyrë e paaftësisë së institucioneve të shtetit për të vepruar në kohë.

Bashkëlidhur kallëzimit u depozitua në SPAK edhe një prokurë, që përforconte faktin se Irena Gjoka ishte përfshirë në falsifikim. Kjo provë e re dëshmoi se ajo ka qenë e dëbuar nga Greqia për kalim të kufirit me dokumenta të falsifikuara. Pas kësaj, Irena Gjoka, që mbante ende mbiemrin Maneku, bashkë me bashkëshortin e fundit, Stefanaq Gjokën, bëjnë prokurë tek një noter në Fier për të autorizuar një avokat në Patra, me emrin Andon Konomi, për të ndjekur çështjen e tyre. Në këtë mënyrë, gjyqtarja gënjeu dy herë organet e vetingut, pasi prokura në fjalë gjithashtu u fsheh nga Gjoka.

E teksa sot mbajnë firmën e saj shumica e vendimeve të Gjykatës së Posaçme ndaj drejtuesve të partive më të mëdha opozitare në vend, dhe me shumicën e këtyre dosjeve përfundoi me sukses “misionin e caktuar”, me sa duket roli i saj ka përfunduar dhe aktualisht është person nën hetim. Dhe si në shumicën e rasteve, nga ana tjetër, që drejtësia ka vepruar me dy standarde, hetimi i saj për një vepër kaq të rëndë të kryer nga ish-drejtuesja e GJKKO-së hetohet jo vetëm në gjendje të lirë, por edhe duke ushtruar detyrën.