Kredia e marrë nga qytetarët e Tiranës ka shënuar një rekord të ri në tremujorin e parë të 2025. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e huasë arriti në 217 miliardë lekë në fund të marsit, duke shënuar një rritje me 17% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo rritje është më e lartë se në çdo rajon tjetër të vendit. Pra, kryeqytetasit janë ata që kanë kërkuar më shumë financim nga bankat në 3 muajt e parë të këtij viti.
Megjithëse Vlora është qyteti i tretë me vlerën më të lartë të kredisë, konkretisht 9.3 miliardë lekë, kredia e dhënë në janar-mars ka qenë më e vogël vlerësuar me një vit më parë. E thënë ndryshe, huaja e marrë nga vlonjatët ka pasur rritjen më të ulët, vetëm 5%.
Ndërkohë, Durrësi është rajoni i dytë me vlerën totale dhe rritjen më të lartë të kredisë. Sipas statistikave zyrtare, huaja e dhënë nga bankat tregtare arriti në 21.6 miliardë lekë në tremujorin e parë.
Po për çfarë është përdorur më shumë kjo kredi?
Qëllimi kryesor pse qytetarët marrin kredi është për të blerë një shtëpi. Kjo vërehet sidomos në Tiranë, ku ka një hendek të madh midis kredisë për blerje banese dhe asaj konsumatore. Në kryeqytet, huaja e marrë për blerje banese është regjistruar në 159 miliardë lekë, ndërsa ajo konsumatore në vetëm 51 miliardë lekë.
Elbasani dhe Shkodra, janë dy qytetet ku kërkesa për kredi konsumatore ka qenë thuajse e njëjtë si ajo për blerje banese.