Ballina Bota Kapet 3 ton kokainë në Guayaquil, autoritetet në Ekuador: I përkiste mafias...

Kapet 3 ton kokainë në Guayaquil, autoritetet në Ekuador: I përkiste mafias shqiptare

6
0

Autoritetet ekuadoriane kanë sekuestruar tre ton drogë, një sasi që ata thonë se i përkiste mafias shqiptare, e cila ka lidhur marrëdhënie me kartelet e drogës kolumbiane dhe meksikane, si dhe me bandat në vend.

Sekuestrimi i kësaj sasie të kokainës u njoftua zyrtarisht dje në Quito. Ministria e Mbrojtjes e përshkroi operacionin si një “goditje të madhe për mafian shqiptare”.

Droga u sekuestrua pas një kontrolli në një fermë në qytetin jugperëndimor të Guayaquil, një port i madh dhe një qendër me rëndësi jetike për trafikimin e drogës në tregjet e SHBA-së dhe Evropës.

“Oficerët e policisë dhe ushtrisë zbuluan drogë në kutitë me banane”, tha për mediat shefi i policisë së Guayaquil, Victor Ordonies.

Gjatë operacionit, u arrestuan “pesë individë të dyshuar për lidhje me mafian shqiptare”, shtoi Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet ‘X’.

Autoritetet në vendin e Amerikës Latine, përmes të cilit kalon 73% e kokainës së prodhuar në mbarë botën, regjistruan konfiskime rekord në vitin 2024,  rreth 294 ton, krahasuar me 221 në vitin 2023.

Në vitet e fundit, Ekuadori ka pushuar së qeni një oaz paqeje dhe qetësie midis Kolumbisë dhe Perusë, dy vendeve me prodhimin më të madh të kokainës në botë.

Dhuna, e cila lidhet mbi të gjitha me trafikun e drogës, ka bërë që shkalla e vrasjeve të rritet ndjeshëm, nga 6 për 100,000 banorë në vitin 2018 në 38/100,000 në vitin 2024, pasi regjistroi një rekord tragjik.