Ballina Aktualitet Banorët e Elbasanit prej pesë ditësh thithin ajër toksik, tymi dhe gazrat...

Banorët e Elbasanit prej pesë ditësh thithin ajër toksik, tymi dhe gazrat nga fusha e mbetjeve vazhdojnë të mbulojnë qytetin

14
0

Prej pesë ditësh, qyteti i Elbasanit është mbuluar nga tymi dhe gazrat toksikë që çlirohen nga fusha e mbetjeve urbane, duke shkaktuar një situatë alarmante për shëndetin publik dhe mjedisin. Edhe pse flakët janë shuar në sipërfaqe, mbetjet vazhdojnë të digjen në thellësi, duke helmuar ajrin e një qyteti të tërë.

Kjo është hera e parë që një zjarr në landfillin e Elbasanit zgjat për kaq shumë ditë, edhe pse zona është përfshirë nga flakët edhe më parë në vite të ndryshme. Nën temperaturat përvëluese që kalojnë 40 gradë Celsius, situata është kthyer në një emergjencë të vërtetë mjedisore.

Në terren vazhdojnë të jenë të angazhuara forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe bashkive fqinje, emergjencat civile dhe ushtria me mjetet e saj, por ndërhyrjet janë të vështira për shkak të përmasave të mëdha të djegieve nëntokësore.

Ndërkohë, përveç ndotjes ajrore që po rëndon mbi banorët e Elbasanit, edhe bashkitë përreth po përballen me probleme serioze, pasi nuk mund të depozitojnë më mbetjet e tyre në këtë landfill. Në rrugët e qyteteve përreth kanë nisur të grumbullohen mbeturinat, duke shtuar edhe më tej rrezikun për përhapjen e sëmundjeve.

Banorët e Elbasanit dhe ekspertët mjedisorë kërkojnë ndërhyrje urgjente për të ndalur përhapjen e gazrave toksikë dhe për të garantuar një zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve urbane.