Ballina Aktualitet Baza militantësh, ndërmarrjet shtetërore në humnerë financiare

Baza militantësh, ndërmarrjet shtetërore në humnerë financiare

7
0

Shumica e ndërmarrjeve shtetërore janë drejt humnerës financiare. Kompanitë me kapital shtetëror që përdoren si baza për punësime militantësh të PS, janë të paafta të shlyejnë borxhet, teksa pjesa më e madhe e fondit që ato marrin nga buxheti i shtetit përdoret për pagat e punonjësve. Situatën më të vështirë financiare e ka Hekurudha Shqiptare me 2.2 mln euro borxhe, e ndjekur nga Posta Shqiptare dhe 10 shoqëri të tjera publike.

Shumica absolute e ndërmarrjeve me kapital shtetëror, të cilat përdoren rëndom si baza për punësimet e militantëve të Partisë Socialiste në pushtet, janë në vështirësi ekstreme financiare. Pjesa më e madhe e fondit që ato marrin nga Buxheti i Shtetit përdoret për pagesën e rrogave të të punësuarve, ndërkohë që janë të paafta të shlyejnë borxhet dhe të krijojnë të ardhura.

Nga 16 shoqëri aksionere dhe ndërmarrje shtetërore në administrim apo pronësi të shtetit, 12 prej tyre janë shumë larg performancës së pritshme. Tetë prej tyre vijojnë të thellojnë humbjet vit pas viti, ndërsa katër nuk arrijnë të shpërndajnë dividentin, që përbën shumën e nevojshme për të vijuar aktivitetin normal. Situatën më të vështirë financiare e ka Hekurudha Shqiptare, me një borxh të akumuluar në vlerën e më të thellë financiare e shënon Hekurudha Shqiptare, me mbi 2.2 milionë euro.

Në listën e kompanive publike me probleme përfshihet edhe Posta Shqiptare, e cila dëshmon efikasitet të ulët për të gjeneruar fitim, megjithëse ka një situatë thuajse monopolistike në llojin e shërbimit që ofron. Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronës Publike, i publikuar së fundmi, ka zbuluar një panoramë shumë të rënduar financiare në shoqëritë ku Shteti është ortak 100 përqind ose zotëron pjesën më të madhe të aksioneve.

Lista e shoqërive në vështirësi financiare përfshin Agrokreditin, Portin Detar Shëngjin, Albafilmin, e të tjerë. Ndërkohë, raporti i KLSH-së evidenton edhe katër shoqëri publike, të cilat, megjithëse kanë arritur të krijojnë një fitim financiar, nuk kanë kryer shpërndarjen e dividentit, gjë që i pengon në kryerjen e investimeve të mëtejshme.

Këto shoqëri janë Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, Operatori i Sistemit të Transmetimit, Ndërmarrja Ulëz-Shkopet dhe Qendra Tregtare e Zhvillimit Kulturor. E njëjta situatë e rëndë financiare paraqitet për shoqëritë anonime, ku shteti zotëron të paktën 51 përqind të aksioneve. Sipas KLSH-së, rezulton se nga 13 shoqëri të tilla, vetëm dy janë me fitim. Nga 11 shoqëritë me probleme, 5 prej tyre akumulojnë humbje vit pas viti, ndërsa gjashtë të fundit janë nën sekuestro apo në likuidim.