Ballina Bota Bombarduesit që morën pjesë në sulmet në Iran, Trumpi i përshëndet nga...

Bombarduesit që morën pjesë në sulmet në Iran, Trumpi i përshëndet nga ballkoni i Shtëpisë së Bardhë

10
0

Gjatë manifestimit tradicional për shënimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, u organizua një fluturim demonstrues i aeroplanëve F-35 dhe bombarduesve B-2 mbi Shtëpinë e Bardhë.

Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, fluturimi i bombarduesit B-2 kishte një domethënie të veçantë, pasi nderoheshin njerëzit që morën pjesë në operacionin e suksesshëm “Çekiçi i Mesnatës” kundër Iranit.

“Forcat ajrore të fuqishme të Amerikës do të realizojnë një fluturim ceremonial me aeroplanët tanë më modernë – F-22, B-2 dhe F-35 – të njëjtët që janë përdorur në sulmet vendimtare dhe të suksesshme ndaj objekteve bërthamore iraniane”, deklaroi Leavitt.

Presidenti amerikan, Donald Trump përshëndeti fluturimin e bombarduesve B-2 nga ballkoni i Shtëpisë së Bardhë, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Melania Trump.

Me ftesë të Trumpit, në festën e Ditës së Pavarësisë në Shtëpinë e Bardhë morën pjesë edhe pilotët që kanë fluturuar me bombarduesit B-2 gjatë operacionit “Çekiçi i Mesnatës”.

Ndryshe, pavarësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shpall më 4 korrik 1776.

Në këtë ditë, Kongresi i Dytë Kontinental, i mbledhur në Filadelfia, miratoi Deklaratën e Pavarësisë, e hartuar kryesisht nga Thomas Jefferson.

Me këtë akt historik, 13 kolonitë amerikane shpallën ndarjen zyrtare nga Britania e Madhe, duke themeluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një shtet sovran dhe të pavarur.