Ballina Kulturë Disa dukuri të këngës polifonike në librin e Albert Zholit

Disa dukuri të këngës polifonike në librin e Albert Zholit

9
0

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Libri i Albert Zholit “Historia dhe madhështia e këngës Polifonike Shqiptare” erdhi në një kohë kur shoqëria shqiptare, por ajo labe ka më shumë nevojë se kurrë për këngën, por për ‘këngën labe vençe’, siç e kanë quajtur në shekuj labët. Të tilla shprehje dëgjoheshin në Labëri dhe në të gjithë Shqipërinë, por dhe në shumë vende të botës ku kanë shkuar, mësuar dhe punuar shqiptarët, shprehjet “t’ja marrim vënçe”, “jepi vënçe”, “…këndojnë vënçe”, “u këndua vënçe, etj. Kjo është dhe dukuria e parë që sjell në këtë libër autori i mirënjohur Albert Zholi.

Dukuria tjetër është se në këtë libër gati 300 fletë, si 300 palat e fustanellës labe, vjen i pastër dhe i qartë mendimi shkencore, i të mëdhenjëve të letrave shqiptare, të kompozitorëve me emër, të muzikologëve që përcjellin këngën shqiptare dhe polifoninë. Libri nëpërmjet këtyre gjigandëve të muzikës shqiptare gjen dhe merr përgjigje për këngën labe, për ‘këngën labe vënçe’ të kënduar në çdo fshat, në çdo krahinë e në çdo stan të Labërisë emërmadhe. Këtë dukuri autori e ka paraqitur thjeshtë dhe me informacionin e plotë shekullor, pra në historinë e labit dhe të këngës, e cila ka qenë bashkëudhëtare në histori së bashku, si trinom: labi, kënga dhe pushka.

Nëpërmjet këngës labe na kanë ardhur të gjalla mjaft ndodhi historike, mjaft beteja dhe mjaft kapedanë, trima, heronj e dëshmorë. Kënga labe fluturonte nga fusha e betejës dhe vinte me një frymë në shtëpitë labe për të dëshmuar histori dhe trimëri. E kush më mirë se kjo, kënga labe i ka kënduar trimërisë, atdhetarizmit, dashurisë, miqësisë dhe traditave, se kënga vënçe, për të cilën bëhet luftë për ta shkëputur nga tradita. Të gjitha këto për këngën labe i gjen të shtjelluara tek libri i Albert Zholit.

Dukuri në libër janë mjaft shkrime dhe opinione të korifenjve të diturisë shqiptare që nga Eqerem Çabej, Ramadan Sokoli dhe Aleksandër Peçi, etj., që me pastërtinë e zërit brilant të labëve, kanë gjetur e spikasur këngën labe, e cila në vite e shekuj ka tronditur beteja, por dhe skena gjigande të botës nga Parisi në Pekin, nga Athina në Amerikë, etj.

Libri i Albert Zholit zanafillën e ka nga vitet ’60 të shek. XX, ky është një rrugëtim i begatë i tij nga mosha e rinisë deri më sot na paraqet me dimensione historinë e këngës labe, pra thelbin dhe përmbajtjen e saj.

Në një syth të librit të titulluar “thelbi i këngës labe”, autori na jep një përshkrim mjaft të detajuar mbi origjinën e polifonisë shqiptare të Prof. Eqerem Çabej i cili ka vrejtur dukurinë se kënga labe është një këngë barinjsh dhe akustikën e saj, e krahason me tingujt e këmborëve të bagëtive. Profesori ka vrejtur se dukuritë e kësaj kënge janë martesore e zakonore në përgjithësi, si dhe të një solidariteti atdhetar në veçanti. Kështu kënga labe ka shfaqur madhështinë në marrëdhëniet e solidaritetit atdhetar, ku është shprehur me forcë sa herë e kanë dashur interesat e Atdheut e të kombit, si në të kaluarën e largët, kundër sunduesve osmanë, kundër shovinistëve grekë e sllavë, kundër pushtuesve fashistë italianë e nazistëve gjermanë, etj.

Këngën labe mjaft autorë e kanë parë edhe nga ndikimi i kushteve natyrore, sidomos mbi këngën polifonike labe. Ajo është një dukuri e ngjizur në përmbajtje ideo-emocionale, në qëndrimin madhështor të maleve, forcës së labit, të ashpërsisë, të pamjes legjendare, të vështrimit hijerëndë e krenar. Kështu nota e përgjithshme, thelbësore dhe tipike e saj është epizmi i pakrahasueshëm.

Kënga shumëzërëshe labe ka si dukuri të saj edhe bukurinë e veçantë të natyrës labe, si bregdetare, fushore e malore etj. Stilet e veçanta të përdorura nga bregdeti, nga mali dhe nga fusha, i japin një notë karakteristike të veçantë, pra anën lirike të saj.

Polifonia Labe sot është një pasuri e vlerësuar në rang kombëtar. Ajo zë vend të veçantë duke u vlerësuar nga Prof. Eqerem Çabej, gjeniu i letrave shqipe, nga Fan S. Noli, eruditi i kombit shqiptar, i cili la amanet që ta përcillnin me këngë labe, dhe deri tek rilindasi i kohës sonë, akademiku Rexhep Qosja.

Akademik Rexhep Qosja, siç shkruan prof. Ago Nezha, në Kuvendin e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” në Vlorë, ka thënë se në këngën labe të djeshme e të sotme, jetojnë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare, se ajo është kënga e fuqisë morale e shpirtërore e Labërisë, e cila një shekull më parë u bë faktori kryesor kombëtar, duke u bërë thelbi i ekzistencës shqiptare.

Duke shfletuar e lexuar librin e Albert Zholit, kënga labe, polifonia është ‘relikja’ më e vjetër dhe që vërteton identitetin e kombit tonë. Kështu ka ardhur kënga labe…

Ngreu, Haxhi Rrapi, ngreu, kënduar me përsosmërinë e grupit “Jehona Labe” dhe zërin burrëror të djalit dukatas Berdo Berdo, figurat historike dalin në dritë dhe kënga labe e tabanit merr vulën e përjetësisë. Në gjysmën e parë të shek. XIX, një prej luftëtarëve më aktiv në trojet jugore ishte edhe Haxhi Rrapi i Gumenicës. Ai së bashku me Dudë Metën ishin ndër oficerët më besnik të Ali Tepelenës…

Më 1847 mori pjesë në Besëlidhjen Shqiptare të Jugut në luftë kundër reformave të tanzimatit…

Më 1854, shkoi në luftën e Meçovës bashkë me trima të tjerë të krahinës, si Selam Hasan Velça, Shako Xhakë Tërbaçi duke ju përgjigjur thirrjes së Mahmut Vlorës, babait të Ismail Qemalit. Në atë betejë ishte drejtues i forcave vullnetare të Gumenicës dhe mbeti i plagosur…

Ndërsa vite më parë, kur isha duke përgatitur dosjet e mjaft trimave të Labërisë për t’u shpallur dëshmorë të Atdheut të rënë në Luftën e Janinës 1913, këngët popullore na treguan biografinë e trimave të rënë në betejë. Ishin këngët e popullit të thurura në vendngjarje që japin dhe përshkruajnë tabllonë e luftës: Janinë çerek Stambolli/ Daltë e të bëloftë gjoli/ Hapi sitë se të mori (greku). Dhe përgjigjja pse Janina ishte e papushtueshme jo vetëm nga pozicioni strategjik i saj, por dhe nga pengesa natyrore që është liqeni (gjoli), Bezhani i super-fortifikuar dhe djemtë e nënave shqiptare. Kënga thotë: S’më merr dot se s’më gjoli/ S’e lë gjoli dhe Bezhani/ Bezhani bën muharrebe (luftë)/ Grihen djelt e nanave…

Lufta dhe betejat e zhvilluara në Janinë në vitin 1913 ishin të ashpra deri në vetëmohim. Të dhënat jepen me saktësi të madhe, krahasuar me dokumentet e kohës:Taburri i Vlorës u vranëNa njëmilë e diqind q’ishnë/ Gjashtëqind u katandisnë/ Edhe taburri me çamë/ Dhe këta u grinë, u vranë/ Lëfton labi, lëfton çami/ Ne Pesë Puset u bë nami.

Pastaj kënga labe vjen me përshkrimin e tipareve të luftëtarit, të aktit të tij në dhënien e jetës dhe të amanetit që lanë për nënat dhe fëmijët e tyre. Kjo është kënga labe…

Albert Xholi në librin e tij, e ka shpalosur dukuritë e historisë të këngës labe e cila në shekuj ka mbijetuar, ndërsa polifonia sot po tregon virtytet e saj. Ndaj dhe Labëria vjen me histori e këngë, sepse ky vend, Labëria, nuk shuhet kurrë se ka këngën e fortë, se ka këngën e bukur. Vitet e fundit kënga labe ka marrë një zhvillim të dukshëm, ndoshta ishte dhe ky zhvillim që bëri të dalë në dritë edhe ky libër, si një dokument, si një dëshmimtar i kohës, për të treguar dhe për të vërtetuar rolin e këngës labe dhe polifonisë që nga dita në ditë po ngrihet lart e më lart. Kënga labe, polifonia si është quajtur vitet e fundit, nuk duhet të tjetërsohet në Iso-polifoni.

Demokracia, si në shumë fjalë dhe shprehje të futura nga politika, apo dhe nga zhvillimi që mori, u futën fjalë të huaja, pa u shqipëruar shqip, doli dhe termi iso-polifoni, që mori përmasa e gllabëroi së pari këngën vënçe, këngën labe, polifoninë dhe i shtoi një biçim të moderuar iso-polifoninë dhe ndahu njerëzit më dysh… u bënë dokumente dhe ju paraqitën UNESCO-s, e cila e ka rregjistruar “Iso-Polifonia” e cila siç kanë bërë rezolutë mjaft intelektualë, godet identitetin kombëtar shqiptar.

Vajti 20 vite që ky debat po zjen me rezoluta, me simpoziume, me kërkesa e ankesa të inteligjencës së muzikës shqiptare, për ta rregjistruar “Polifonia Shqiptare” në UNESCO dhe akoma ky debat vlon…

Jam besimplot se ky libër do të zërë vendin e duhur dhe do të ndikojë në lartësimin e vlerave dhe të dukurive të këngës labe, të polifonisë shqiptare.