Nga Roland Lami
Thomas Carothers, Steven Levitsky, Lucan Way mbrojnë tezën se regjimet hibride operojnë në një zonë të ndërmjetme midis demokracisë dhe autoritarizmit, ku korrupsioni është strukturor dhe jo aksidental. Regjimet hibride përdorin mjetet e korrupsionit si pjesë të strategjive të qëndrueshmërisë politike. Në vend që të kufizojë korrupsionin, qeveritë shpesh e ushqejnë dhe e shpërndajnë atë në mënyrë të qëllimshme, duke ndërtuar rrjete klienteliste dhe patrimonialiste që garantojnë besnikërinë e elitave dhe varësinë e qytetarëve.
Në krahun tjetër edhe publiku e ushqen dhe e riprodhon nga poshtë, duke e shndërruar atë në një sistem vlerash të përditshëm dhe të normalizuar. Kjo, jo pak raste çon drejt internalizimit të korrupsionit si normë, ku vetë qytetari bëhet aktor i kapjes së shtetit, duke ushqyer rrjetet klienteliste nga baza. Në këtë kontekst, në vend që të kërkojnë reforma, individët preferojnë të bëhen pjesë e një loje ku “nuk fiton ai që respekton rregullin, por ai që di t’i anashkalojë ato”.
Kjo shprehen autorët e mësipërm është forma më e rrezikshme e korrupsionit, sepse nuk buron vetëm nga pushteti, pra nga lartë poshtë , por nga mënyra se si një shoqëri e tërë e koncepton drejtësinë, mundësinë dhe dinjitetin, pra, nga poshtë lartë.
Pikerisht, kështu ka ndodhu në këto vite në Shqipëri, pasi nuk ka si shpjegohen disa fakte të renditura më poshtë që burojnë nga raporte, anketime apo studime të kryera për fenomenin e korrupsionit në Shqipëri.
Se pari, në pesë vitet e fundit, perceptimi për korrupsionin në Shqipëri, sipas indeksit të Transparency International (CPI), është përmirësuar vetëm me një pikë – nga 35 në 36. Në këtë kontekst, qeveria nuk është thjesht një aktor që e toleron korrupsionin për shkak të paaftësisë ose dobësisë institucionale, përkundrazi, ajo shpesh e ushqen, e menaxhon dhe e shpërndan atë në mënyrë të qëllimshme, për të ndërtuar aleanca politike dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit. Jo pak aturor mbrojnë pikëpamjen se qeveritë në regjime hibrite sic është Shqiperia e perdorin korrupsionin si një mjet patronazhi dhe klientelizmi, ku besnikëria ndaj qeverisë shpërblehet me akses në fonde publike, kontrata shtetërore, punësime dhe përfitime të tjera. Në këtë mënyrë, korrupsioni shndërrohet në monedhën e qarkullimit politik ku elitat nuk mbështeten mbi legjitimitetin demokratik, por mbi përfitimin reciprok dhe kontrollin e resurseve publike.
Së dyti.në pesë vitet e fundit, perceptimi për korrupsionin në Shqipëri nga ana e qytetarëve ka ndryshuar me shumë pak pikë. Kjo e dhënë ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje. Së pari, një ndryshim prej një pikë referuar indeksit të Transparency International (CPI), tregon se besimi i qytetarëve në luftën kundër korrupsionit mbetet i ulët. Së dyti, pavarësisht retorikës politike, nismave ligjore dhe krijimit të institucioneve të reja (si SPAK apo BKH), perceptimi publik nuk ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme. Kjo mund të nënkuptojë se reformat e ndërmarra janë perceptuar më shumë si teknike ose të orientuara nga presioni ndërkombëtar, dhe jo si të lidhura me ndryshim real në përditshmërinë e qytetarëve. Së treti, lëvizja minimale prej një pike ngre dyshime mbi efikasitetin e sistemit të drejtësisë së re, e cila në teori është ndërtuar për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë.
Se treti, sondazhet tregojnë për shkallë të lartë perceptimi për korrupsionin nga ana e qytetarëve por kur ata pyeten se cila forcë politike është më shumë e korruptuar rrjeshtohen më shumë sipas binjeve politike sesa analizës së ftohtë të treguesve të korrupsionit. Kjo është një simptomë klasike e politizimit të tepruar të shoqërisë, ku ndarja partiake mbivendoset mbi analizën kritike. Çdo skandal, pavarësisht provave, interpretohet përmes syzeve të besnikërisë politike, dhe jo përmes kërkesës për përgjegjshmëri. Kjo sjell një efekt zinxhir duke rritur tolerancën ndaj korrupsionit te partia që preferon si dhe duke delegjitimuar akuzat ndaj kundërshtarëve pasi trajton ato si “sulme politike”, Në këtë terren, llogaridhënia humbet kuptimin, sepse ajo bëhet objekt i propagandës dhe jo i gjykimit të paanshëm. Në thelb, kjo gjendje nuk është thjesht produkt i polarizimit politik, por dëshmi e dështimit për të ndërtuar një kulturë qytetare që vendos interesin publik mbi besnikërinë ideologjike. Kur qytetarët nuk arrijnë të ndajnë faktin nga bindja, korrupsioni nuk ka nevojë të fshihet, ai mbijeton sepse të gjithë e justifikojnë – secili për “të vetët”.
Së fundmi, në çdo sondazh del që qytetarët kanë më shumë besim për luftën ndaj korrupsionit te ndërkombëtarët dhe jo te institucionet lokale në Shqipëri. Mbivleresohet roli i ndërkombëtarëve karshi atyre lokal ku ndërkoh vetëm këta të fundit mund ta ndryshojnë gjendjen. Ky vlerësim i tepruar tek ndërkombëtarët, edhe pse i kuptueshëm, krijon një rrezik të dyfishtë. Së pari, ai ushqen pasivitetin qytetar, duke forcuar idenë se ndryshimi nuk vjen nga brenda, por “na e sjellin të tjerët”. Së dyti, ai zvogëlon presionin mbi institucionet lokale për të vepruar dhe për t’u reformuar nga brenda. Në realitet, asnjë reformë e qëndrueshme nuk mund të vijë nga jashtë, për sa kohë që institucionet lokale nuk e përvetësojnë ndryshimin si proces të tyre dhe për sa kohë që qytetarët nuk e shohin veten si pjesë aktive të kontrollit demokratik. Zgjidhja nuk është heqja dorë nga ndihma ndërkombëtare, por zhvendosja graduale e shpresës dhe veprimit drejt institucioneve lokale, përmes forcimit të transparencës, ndëshkimit efektiv dhe ndërtimit të një kulture politike më llogaridhënëse.
Si konkluzion, mund të themi se korrupsioni në kontekste si ky i yni nuk është thjesht një devijim nga norma, por vetë norma. Ai është sistemik, domethënë i ndërthurur në mënyrë strukturore me mënyrën se si funksionon shteti, politika dhe shoqeria. Si i tillë, nuk mund të luftohet me masa të pjesshme, por kërkon një transformim tërësor të sistemit politik dhe institucional. Siç thekson Mungiu-Pippidi, një shoqëri bëhet “pa korrupsion” jo kur ndëshkon të korruptuarit herë pas here, por kur ndërron ekuilibrin mes normave informale dhe rregullave formale – duke e bërë të palogjikshme, jo vetëm të paligjshme, sjelljen korruptive.