Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga filmi i animuar “Ilira” i realizuar në vitin 1983.
Në përshkrimin përbri videos, Rama bën me dije se ky film i animuar tashmë është restauruar dhe është e mundur të shihet në 4K.
“MIRËMËNGJES dhe me disa sekuenca të një prej filmave të animuar shqiptar “Ilira” realizuar në 1983, tanimë i restauruar në 4K, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan kryeministri.
Me rastin e 50-vjetorit të zhanrit të filmit të animuar shqiptar, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizoi premierën e filmit të restauruar në 4K “Ilira”, një film i animuar nga Boris Ikonomi, prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re” në vitin 1983.
Me restaurimin filmi “Ilira” vjen me një cilësi më të mirë. Filmi u restaurua në studion Augustus Color, në Romë, Itali, duke u bërë tashmë i disponueshëm për shfaqje cilësore ku publiku mund të shijojë artin e bukur të animacionit.
Premia e filmit të restauruar “Ilira” u shfaq më datë 14 maj në kinema.
Skenari i filmit është shkruar nga Luan Rama dhe Boris Ikonomi, ndërsa muzika mban emrin e kompozitorit Aleksandër Lalo. Operatorë Tomi Vaso dhe Vangjush Valla.
Sipas arkivit në filmin e animuar “Ilira” artistët, Boris Ikonomi dhe Tomi Vaso, dy nga pionierët e animacionit shqiptar, kombinojnë xhirimet reale me piktura të punuara në celofan për t’i vendosur personazhet në një udhëtim në vendet arkeologjike të Shqipërisë së lashtë dhe kryesisht në Butrint.
Filmi “Ilira” tregon historinë e Çlirimit, një djali të vogël i cili me këmbëngulje dëshiron të gjejë një emër për motrën e tij të porsalindur. I frymëzuar nga historia teksa vizitonte vendet arkeologjike në Shqipëri, ai zgjodhi emrin e një luftëtareje ilire, Ilira.