Kryetarët e tre qyteteve kryesore në Turqinë jugore u arrestuan të shtunën, raportoi media shtetërore, duke u bashkuar me një listë në rritje të figurave të opozitës të ndaluara që kur kryebashkiaku i Stambollit u burgos në mars.
Abdurrahman Tutdere, kryebashkiaku i Adiyaman-it, dhe Zeydan Karalar, i cili drejton komunën e Adana-s, u arrestuan në bastisje herët në mëngjes, sipas Agjencisë Anadolu. Të dy janë anëtarë të Partisë Republikane Popullore kryesore të opozitës, ose CHP.
Kryebashkiaku i Antalya-s, i partisë CHP, Muhittin Bocek, u arrestua me dy të dyshuar të tjerë në një hetim të veçantë për ryshfet nga Zyra e Prokurorit Publik të Antalyas, raportoi Anadolu.
Karalar u arrestua në Stamboll dhe Tutdere u arrestua në kryeqytet, Ankara, ku ai ka një banesë.
Dhjetë persona, përfshirë Karalar dhe Tutdere, u arrestuan si pjesë e një hetimi nga Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit për akuza që përfshijnë krim të organizuar, ryshfet dhe manipulim ofertash.
Detajet e akuzave kundër tyre nuk u publikuan menjëherë nga prokurorët, por operacioni vjen pas arrestimeve të dhjetëra zyrtarëve nga komunat e kontrolluara nga CHP-ja në muajt e fundit.
Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu, i konsideruar gjerësisht si sfiduesi kryesor i sundimit 22-vjeçar të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, u burgos katër muaj më parë për akuza për korrupsion.